Diplomoi gjenerata e 53-të e kadetëve të Policisë së Kosovës

25.03.2016

Vushtrri, 25 mars 20016 - Në Akademinë e Kosovës për  Siguri Publike (AKSP), pas një trajnimi gjashtë mujor sot diplomoi gjenerata e 53-të  e kadetëve të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme (MPB),Skender Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend  Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK),Rrahman Rama, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit Policor  të Kosovës, Fitim Shishani, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulëzim Rafuna, drejtuesit e agjencioneve të Sigurisë Publike dhe përfaqësues të  institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skender Hyseni, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 53-të, të kadetëve tha se Policia e Kosovës  është një forcë demokratike, shumë funksionale dhe më e mira në rajon.
 
Ministri Hyseni,  duke i  inkurajuar kadetët e sapo diplomuar, tha se Policia e Kosovës është një organizatë, është një forcë policore profesionale e ndërtuar në pajtim me standarde më të larta ndërkombëtare. Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk do të kursej asgjë që Policia e Kosovës të jetë edhe më e përsosur, që të jetë e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që  i sjellë koha.

Hyseni ka falënderuar të gjitha organizatat ndërkombëtarë që kanë dhënë përkrahje të pakursyer  në formimin e policisë, kanë dhënë përkrahje për një polici çfarë ka sot Kosova.
 
“Mirësevini në organizatën tuaj të cilën jam i sigurt që do ta pasuroni, ajo sot do të bëhet për 280 kadetë me e pasur”, u shpreh  ministri Hyseni në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 53-të të Policisë së Kosovës.  Ai tha se Policia e Kosovës është institucion, është palcë kurrizore e shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) Ismail Smakiqi, tha se  shërbimi  në Policinë e Kosovës  është vendim shumë i rëndësishëm  që t’ i shërbeni  familjeve  dhe të gjithë   qytetarëve të Republikës  së Kosovës në përgjithësi.

Ai tha se Akademia tani më është qendër e fortë e të gjitha llojeve të trajnimit me bashkëkohore për të gjitha Agjensionet e Sigurisë Publike.

Smakiqi tha se qytetarët me padurim presin inkuadrimin e juaj në Policinë e Kosovës  “radha është e juaja, të dëshmoni shkathtësitë dhe diturit që i keni arritur në Akademi, dëshmojeni  veten, se jeni gjenerata që vendin tuaj e doni të jetë  vend demokratik dhe me respektim të plotë të drejtave të njeriut”.

Drejtori Smakiqi tha se Akademia gjithmonë është e gatshme dhe me padurim pret gjeneratën e re të Policisë së Kosovës, sepse siç tha ai kadetët janë ata që i japin hijeshi Akademisë.

“Meritoni pritjen e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy. Bëjeni krenar  Akademinë dhe familjet tuaja”, kështu u shpreh Smakiqi para kadetëve të sapo diplomuar.
 
Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), Shpend Maxhuni, në ceremoninë e diplomimit tha se kadetët e sapo diplomuar do të shërbejnë në organizatën me të respektuar në vend, siç është Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës  ka nevojë për ju, jeni të përgatitur  dhe të motivuar për ti shërbyer komunitetit me profesionalizëm, etik, nderë dhe krenari”, u shpreh Maxhuni duke thënë se trajnimet e policisë bëhen më standarde më të larta evropiane.
 
Më këtë rast Maxhuni ka kërkuar nga  kadetët që punën e tyre ta kryej me përgjegjësi, profesionalizëm, korrektësi, efikasitet, objektivitet dhe ndershmëri.

“Vizioni ynë është zbatimi i ligjit  është  në interesin e të gjithëve, është rruga e drejtë, prandaj ndiqeni këtë rrugë që të realizoni këtë vizion”, tha Maxhuni për të shtuar se sundimi i rendit dhe ligjit sot është një parakusht esencial në të gjitha aspektet e shoqërisë.