Në Akademi u mbajt seminari i Projektit të Binjakëzimit
Vushtrri, 16 mars 2016 -Në Akademinë e Kosovës për siguri Publike sot u mbajt seminari i fillimit të Projektit të Binjakëzimit Përkrahja e mëtejme e arsimit të sigurisë publike. Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e programit të Instrumentit për Ndihmë Para Anëtarësimit (IPA), projekt i cili do të implementohet nga Finlanda dhe Estonia.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë z. Ismail Smakiqi duke ju falënderuar te pranishmëve për përkrahje, theksoi se ky projekt vjen si rezultat i projektit të parë të binjakëzimit Përmirësimi i Arsimit në Sektorët e Sigurisë dhe Rendit Publik , i cili ka mundësuar akreditimin e programit studimor Bachelor të sigurisë publike për periudhën 3 vjeçare, si dhe hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike i cili ofron arsim të lartë për zyrtarët e agjencive.
Ai tha se projekti i dytë i binjakëzimit, të cilin sot po e promovojmë Përkrahja e mëtejme e arsimit në siguri publike në Kosovë është projekt i Bashkimit Evropian, IPA 2014-2020, projekt i cili do të implementohet nga shtetet anëtare Finlanda dhe Estonia gjegjësisht: Kolegji Universitar i Policisë- Finlandë, Akademia e Estonisë e Shkencave të Sigurisë, Agjencia e Sanksioneve Penale-Finlandë dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Kolegji për Arsim të Mësimdhënësve.
Siguria publike, gjegjësisht lufta kundër krimit dhe të gjitha dukurive negative të shoqërisë, mund të arrihet vetëm me zbatues të ligjit të trajnuar mirë dhe me arsim të lartë sipas standardeve të njohura ndërkombëtare tha Smakiqi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme z. Skender Hyseni potencoi se sot po lansojmë një seminar tjetër të projektit të binjakëzimit në këtë tempull të nxënies së mësimeve akademike në fushën e sigurisë. Ministri Hyseni citoi se:
E konsideroj të rëndësisë së veçantë çdo gjë që zhvillohet brenda këtij projekti të binjakëzimit, sepse e shoh si mundësi tjetër shumë të rëndësishme që standardet që aplikohen në fushën e dijeve në rrafshin e sigurisë në Kosovë, të barazohen tërësisht me standardet që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian. Është jetike që Kosova të filloj të ndërtoj strukturat e veta edukativo-arsimore në pajtim të plot me standardet evropiane, tha Hyseni .
Nërsa Christof Stock shef i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë tha se implementimi i këtij projekti është mjaftë me rëndësi për Akademinë konkretisht për zyrtarët e sigurisë publike.
Arsimimi në të gjitha fushat, dhe veçanërisht arsimimi në fushën e zbatimit të ligjit është prioritet për ne dhe ne do të vazhdojmë këtë përkrahje, pasi që edhe investimi në projektin e kaluar të binjakëzimit për këtë arsimim të specializuar ka qenë investim shumë i mirë.
Përveç arsimit të lartë, ai tha se do të vazhdohet përkrahja në mësimin gjatë tërë jetës në arsimin profesional në sigurinë publike. Përmes projektit të ri, arsimi i sigurisë publike në Kosovë do të jetë edhe më efektiv dhe efikas. Jam i impresionuar, shtoi Stock, me përkushtimin e plotë të stafit të Akademisë. Njerëzve që punojnë në këtë institucion ju pëlqen puna të cilën e bëjnë dhe janë plotësisht të angazhuar për të realizuar misionin e Akademisë.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovës Anne Huhtamaki tha se është kënaqësi që gjendet sot në Akademi në këtë seminar të Projektit të Binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian, dhe Finlanda si shtet përfitues i këtij projekti do të jep mbështetje të mëtutjeshme në realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
Ne presim që nga ky projekt të arrihen rezultate të larta dhe të suksesshme në fushën e sigurisë dhe edukimit të lartë. Finlanda edhe më tutje përmes ekspertëve do të vazhdoj ti mbështesë projektet e tilla në fushën e sigurisë dhe edukimit të lart për zbatuesit e ligjit, tha Huhtamaki.
Në hapje të seminarit ishin ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Nazmi Iballi, Christof Stock nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasadorja e Finlandës Anne Huhtamaki, udhëheqësja e projektit të binjakëzimit Krista Haak, përfaqësues nga agjencionet e sigurisë si dhe ekspertët e projektit të binjakëzimit.