OSBE i dhuron 300 libra Akademisë së Kosovës për Siguri Publike

10.03.2016

Vushtrri, 10 mars 2016- Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë (OSBE), në vazhdën e donacioneve dhe përkrahjes  sot dhuroi  300 tituj librash donacion,  Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, priti në vizitë zëvendës shefen e misionit të OSBE-së në Kosovë znj. Paivi Nikander dhe zëvendës shefen e Ambasadës Gjermane në Kosovë znj. Cristina Gehlsen. Në takim morën pjesë edhe Ake Roghe, Drejtor i Departamenti për Rend dhe Siguri Publike OSBE, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, Dejan Saviq dhe Ritva Vahakovski Këshilltare Rezidente e Projektit të Binjakëzimit.

 

Vizita u realizua me rastin e dorëzimit të treqind librave donacion i OSBE. Dorëzimi i librave ishte njeri prej 4 aktiviteteve të financuara nga Ambasada Gjermane dhe implementuar nga OSBE, mision në Kosovë. 

Në kuadër të këtij projekti Akademia ka vizituar Universitetin Policor të Gjermanisë ne Muenster si dhe ka qenë nikoqire e këtij Universiteti, kurse në muajin tetor 2015 në Prishtinë është mbajtur Konferenca Ndërkombëtare "Ndërlidhja me Rrjete dhe Qasja krahasuese në arsimimin e policisë”.

 

Drejtori Smakiqi falënderoi misioni e OSBE-së në Kosovë për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë në ngritjen e kapaciteteve të Akademisë si dhe kontributin që po vazhdon të jap  në trajnimin dhe arsimimin e pjesëtareve të sigurisë publike. 

 

“Pranimi i 300 titujve të librave është një dhuratë shumë e veçantë dhe e çmueshme për ne si Akademi dhe për studentët e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike”, u shpreh Smakiqi.  

 

Më këtë rast drejtori Smakiqi ka folur edhe për fillimin e projektit të dytë të binjakëzimi i cili ka për qëllim përkrahjen e mëtejshme të arsimit në sigurinë publike në Kosovë.  

 

“Ky projekt vjen si rezultat i përfundimit me suksese të projektit të parë të binjakëzimit “Përmirësimi i arsimit në sektorët e sigurisë dhe rendit publik – IPA 2009”, i cili ka mundësuar akreditimin e programi studimor në Akademi  si dhe hapjen e Fakulteti të Sigurisë Publike i cili ofron arsim të lartë për zyrtarët  e Agjencive të Sigurisë Publike”, tha drejtori Smakiqi. 

Ai tha se Akademia falë punës së palodhshme të stafit dhe përkrahjes nga partnerët e saj të përhershëm OSBE dhe ICITAP është në rrugë të mirë të realizoi vizionin e saj, “në vitin 2020 Akademia do të njihet nga palët e interesit të saj kombëtarë dhe ndërkombëtarë si një institucion parësor për të gjitha nivelet e arsimit në sektorët e rendit dhe sigurisë publike” .

 

Ndërsa zëvendës ambasadorja e OSBE-së në Kosovë, Paivi  Nikander, gjatë fjalimit të saj u shpreh shumë e lumtur që Akademia ka shënuar të arritura në fushën e trajnimeve të pjesëtarëve të sigurisë publike. Ajo tha se ndihet e lumtur që OSBE sot dhuron libra Akademisë ku përmes se cilave pjesëtarët e sigurisë kanë mundësi të fitojnë njohuri në fushat përkatëse.  

 

Edhe zv/ambasadorja e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë Cristina Gehlsen, ka përgëzuar Akademinë për të arriturat e sajë. “Para se të vij në Akademi unë kamë dëgjuar fjalë shumë të mira për institucionin tuaj. Sot është hera e par që vizitoj Akademinë dhe jam shumë e impresionuar, prej rendit shtëpiak e deri të trajnimet dhe arsimimin që zhvilloni për studentët” tha Gehlsen. Ajo shprehi gatishmërinë për ta ndihmuar dhe përkrahur Akademinë edhe më tutje.