Filloi punëtoria tre ditore për fuqizimin e qëndrueshmërisë kundër radikalizmit të dhunshëm

25.01.2016

Vushtrri 25 janar 2016 –  Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara filluan punëtorinë treditore "STRESAVIORA", ku po diskutohet për  fuqizimin e qëndrueshmërisë kundër radikalizmit të dhunshëm.


Në këtë punëtori morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme,  Skender Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP,  Alessandra Roccasalvo,  Charles De Winter nga  Policia Federale e Belgjikës dhe  Noel Klima nga Shërbimi Publik Federal i Punëve të Brendshme të Belgjikës.


Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se Ministria e Punëve të Brendshme po luan rol të rëndësishëm, madje ka marr rol prijës në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë së kosovare, me synim parësor, ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste. 


“Ndërkohë na del si detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave të organizimeve sociale, politike që të bëjmë më shumë në parandalimin e radikalizmit të komunitetit tonë”, tha ministri Hyseni.


Ndërsa zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, tha se Kosova është ndër vendet e Ballkanit dhe më gjerë më pro aktive, që është duke luftuar dhe parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, dhe kjo nuk është një kompliment.


“Një avantazh për Kosovën është se si një vend i vogël,  policia është duke bërë një punë të mirë në këtë fushë, prandaj kemi vendosur që së bashku me MPB-në dhe partnerët tjerë për të zhvilluar disa trajnime që zhvillohen në disa shtete të cilat kanë pasur çështje të ngjashme”, theksoi Roccasalvo.


Kjo punëtori synon që të fuqizojë qëndrueshmërinë karshi radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, është organizuar në dy sesione, sesioni i parë i destinohet përfaqësuesve të institucioneve qendrore, ndërsa sesioni tjetër i është destinuar nivelit lokal. Kjo punëtori do të zgjasë tre ditë.