Me një shkurt fillon projekti i ri i binjakëzimit

19.01.2016

Vushtrri, 19 janar 2016 -  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), me një shkurt fillon implementimi i projektit të dytë të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejshme e arsimit në siguri publike në Kosovë”,  projekt  ky i cili ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë publike.

 

Kështu u bë e ditur sot gjatë një takimi  që  u  mbajt në Akademi me temën “Përkrahja e mëtejshme e arsimit në sigurinë publike  në Kosovë”,  në të cilin morën pjesë  drejtori i përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, përfaqësuesit  e Agjencioneve të Sigurisë Publike, zyrës së kryeministrit, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Integrimeve Evropiane , përfaqësues  nga Autoriteti Kombëtar  i  Kualifikimeve si dhe partnerët  ndërkombëtar  nga zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE-së.

 

Gjatë takimit fillimisht nga zyrtarët e Akademisë u bë prezantimi i të arriturave dhe rezultateve të suksesshme nga projekti i mëparshëm i binjakëzimit i cili ka pas për qëllim “Përmirësimin e arsimit në sektorët e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë”, përmes së cilës u bë e mundshme akreditimi i programit studimor në siguri publike në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, nivelit BA, ku si rezultat i këtij projekti u hap Fakulteti i Sigurisë Publike i cili ofron arsim të lartë për zyrtarët  e Agjencive të Sigurisë Publike.

 

Gjithashtu gjatë këtij takimi u bë prezantimi për projektin e ri të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejshme e arsimit në siguri publike në Kosovë”.

 

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi ka vlerësuar lartë fillimin e projektit të dytë të binjakëzimit. Ai gjatë prezantimit të arriturave në Akademi, vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt.

“Është shumë i rëndësishëm implementimin i këtij projekti i financuar nga Bashkimi Evropian në arritjen e objektivave në përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë publike”, u shpreh Smakiqi duke thënë se ky është një rast i shkëlqyer për Akademinë.

 

Ndërsa përfaqësuesit nga zyra e kryeministrit të Kosovës dhe ministrive ofruan mbështetje Akademisë rreth implementimit të projektit të dytë të binjakëzimit.

 

Edon Miftari nga zyra e kryeministrit theksoi se që nga pas lufta Akademia mbetet njëri ndër institucionet më të rëndësishme  në trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike .Ndryshe projekti i ri i binjakëzimit “Përkrahja e mëtejshme e arsimit në siguri publike në Kosovë”,  financohet nga Komisioni Evropian me vlerë prej 1.4 milion euro, do të zgjasë tri vjet dhe do të zbatohet nga shtetet anëtare Finlanda dhe Estonia.