U mbajt tryeza për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe Perspektivat e Planifikimit të Integritetit
Prishtinë, 10 dhjetor 2015 - Iniciuar nga Zvicrra, Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), mbajtën tryezë për të diskutuar "Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe Perspektivat e Planifikimit të Integritetit, me akterët vendor dhe ndërkombëtarë.
Në këtë tryezë morën, pjesë ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, ambasada e Zvicrës në Kosovë, znj. Krystyna Marty Lang, anëtarët e Komisionit për Siguri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të çështjeve të Sigurisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skënder Hyseni, me këtë rast falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen e pa kursyer që ka dhënë institucioneve të sigurisë në Kosovë në ngritjen e kapaciteteve, theks të veçantë i ka vënë në përkrahjen për Kosovën në institucione që kryesisht kanë të bëjnë me mbikëqyrjen, kontrollin e performances profesionale të institucioneve të rendit dhe ligjit.
Kontrolli demokratik, përkatësisht mbikëqyrja e institucioneve të rendit dhe ligjit është thelbësore, është kurciale dhe vendimtare për mirëmbajtjen dhe performancën e këtyre institucioneve. Po ashtu resurset njerëzore, kanë peshë të veçantë në ruajtjen e vazhdimësisë të kujtesës institucionale tek institucionet e rendit dhe ligjit, tha ministri Hyseni.
Ministri Hyseni vlerësoi se, Policia e Kosovës është një formacion jashtëzakonisht profesional, e trajnuar mirë dhe shumë bashkëkohore në aspekt të ndërveprimit operativ. Ai tha se nga këndvështrimi i burimeve njerëzore, kemi një ngecje të cilin bashkërisht me Kuvendin e Kosovës besoj se do e zgjidhim. Pasi një numër i policëve është plakur.
Unë e kam vendosur si prioritet hartimin dhe kalimin e projektligjit për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës. Projektligji është gati. Po kështu kemi vendosur rreth pikave delikate që është mosha e pensionimit dhe niveli i pagës me të cilën do të pensionohen Policët e Kosovës, dhe presim që në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm do të miratohet ky projektligj.
Ndërsa Ambasadorja e Zvicrres në Kosovë, znj. Krystyna Marty Lang, tha se të ndërtosh një organizatë policore nuk është procedurë e lehtë. Policia e Kosovës është një organizatë e respektuar dhe e cila i përfaqëson ambiciet e Kosovës në respektim të diversiteteve të saj.
Zyrtarët e policisë janë në vështirësi të ndryshme për të mbrojtur, shumë nga ta i plotësojnë standardet më të larta të integritetit, megjithatë sikur edhe në çdo forcë policore, kudo në botë ekzistojnë shkeljet dhe korrupsioni që janë pjesë e realitetit, sjellje të tilla kërcënojnë edhe drejtësinë, por edhe besimin e qytetarëve sepse këto organizata supozohet se duhet ti mbrojnë ata, theksoi ambasadorja Lang.
Ambasadorja zvicerane theksoi se Kosova ka mekanizmat e duhura për të mundësuar punë të suksesshme për të luftuar korrupsionin dhe tha se këto diskutime do tiu ndihmojnë të zhvilloni forma operative në mënyrë që Policia e Kosovës të ndihmohet në ngritjen e integritetit.
Kjo tryezë do tiu ndihmojë që të bëni planifikimet për integritetin dhe kjo nënkupton krijimin e një kornize vendimmarrëse për të identifikuar dhe analizuar dhe adresuar gjithçka në polici në një adresim të veçantë, tha ambasadorja Lang.
Në këtë tryezë folën edhe përfaqësues të DCAF-it, deputet të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë institucional dhe përfaqësues të shoqërisë civile.