Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë vizitoi Akademinë
Vushtrri, 08 dhjetor 2015 Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizitoi ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi.
Ambasadorja Marty Lang gjatë kësaj vizite mori pjesë edhe në Seminarin Ndërkombëtar për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin Policor të organizuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në Akademi. Për nderë të kësaj vizite u organizua parada e mëngjesit nga gjenerata e 53-të e kadetëve të Policisë së Kosovës.
Para të pranishmëve, ambasadorja Marty Lang, tha se puna e policisë është mjaftë me përgjegjësi dhe shumë e rëndësishme për shtetin. Ju keni bërë një zgjedhje shumë të guximshme, inkuadrimi në polici është një krenari, pasi që ju mbroni të gjithë qytetarët pa dallim nacionaliteti apo nga vijën ata, u shpreh Marty Lang. Sipas ambasadores duke pas parasysh se në çfarë kohë është duke jetuar popullata e gjithë botës, puna e policisë është zgjedhje e guximshme.
Marty Lang u tha kadetëve se pas përfundimit të trajnimit bazikë ata do të jenë model i Policisë së Kosovës. Ajo tha se si pjesëtarë i Policisë së Kosovës, ligj do të jetë gjithmonë një udhërrëfyes në punën e tyre. Ju e përfaqësoni rendin dhe ligjin, dhe ligji e përbënë bazën e ndërtimit të këtij shteti, tha Marty Lang, duke iu dëshiruar kadetëve suksese në punën e tyre.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi vizitën e ambasadores së Zvicrës në Kosovë e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme. Këtë vizitë e kuptojmë si përkrahje ndaj Akademisë, kurse për kadetët këto vizita janë inspirim në përcaktimin e tyre dhe motiv shtesë të ia dalin që të përfundojnë me sukses trajnimin bazik, u shpreh Smakiqi, duke thënë se pas diplomimit kadetët do të bashkëngjiten tetë mijë policëve të Kosovës të cilët janë trajnuar në Akademi. Deri me tani sipas Smakiqit në Akademi janë trajnuar mbi 12 mijë zbatues të ligjit nga gjashtë Agjenci të Sigurisë Publike.
Drejtori Smakiqi tha se bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtar të sigurisë, ka bërë që Akademia të jetë e njohur ndërkombëtarisht si institucion profesional për ofrimin e trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike.