Në Akademi në mënyrë vullnetare u dhuruan afër 200 doza gjak

12.11.2015Vushtrri, 12 nëntor 2015 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), në mënyrë vullnetare është duke u zhvilluar aksioni i dhurimit të gjakut nga kadetët e Policisë së Kosovë, nga Instruktorët e Agjencive të Sigurisë Publike si dhe  nga Personeli i Akademisë.
Në  Akademinë  e Kosovës për Siguri Publike dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare tashmë është bërë aksion tradicional.

Aksioni humanitar i dhurimit të gjakut është  realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Shëndetësor të Policisë së Kosovës, Transfuzionin e Gjakut nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe me ekipin mjekësor të  AKSP-së në krye me dr Artan Bejta.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Qendrës së Transfuzionit të Gjakut dhe gatishmërisë së madhe për  dhurimin e gjakut në mënyrë vullnetare i cili ka filluar dje është duke vazhduar edhe sot.

Personeli mjekësor i Transfuzionit Kombëtar të Gjakut dhe ai i Akademisë këtë aksion e kanë vlerësuar si një ndër aksionet më të mëdha që kanë ndodhur deri me tani.


Fadil Mahmuti, menaxher për informim në Transfuzionin Kombëtar të  Gjakut i cili është duke marrë pjesë në këtë  aksion, tha se është një njëri ndër aksionet me të suksesshme deri me tani.

“Ekipi i Transfuzionit të Gjakut edhe sot është në mesin e kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës, personelit të Akademisë ku kemi organizuar një aksion për grumbullimin e gjakut. Për shkak të vullnetarëve të shumtë jemi detyruar që aksioni të vazhdoj edhe sot, pasi që vetëm dje nuk kemi arrit të marrim gjak nga të gjithë ata që janë të interesuar”, tha Mahmuti.

Interesimin e madh për dhurimin e gjakut në Akademi në mënyrë vullnetare, Mahmuti e ka vlerësuar si shembull të mirë edhe për institucionet tjera, siç janë ministritë, shkollat, fakultetet dhe organizata tjera.

“Duke u nisur nga fakti se kërkesat për gjak janë të mëdha, për t’i mbuluar nevojat brenda Qendrës Klinike Universitare  brenda 24 orëve  vijnë mbi 150 kërkesa për gjak, kemi Qendrën emergjente ku vazhdimisht vijnë fatkeqësi në komunikacion, fatkeqësi me gjakderdhje të mëdha dhe shumë shpesh nevojitet gjak”, u shpreh Mahmuti duke thënë se falë këtij aksioni kanë arritur që të gjitha ata që kanë pas nevojë për gjak ti furnizojnë.

“Duke falënderuar kadetët e kësaj Akademie dhe stafin e saj neve kemi arritur mbrëmë gjatë natës dhe sot gjatë ditës në Qendrën Klinike Universitare t’i furnizojmë me gjak të gjitha nënat, të gjithë fëmijët që kemi raste me leukemi të ndryshme, me kërcënoma etj. Kanë marrë gjak të gjitha fatkeqësitë në komunikacion që kanë arrit në emergjencë gjatë natës, e mos flas edhe për operacionet që kanë qenë të planifikuara  në gjinekologji dhe në kirurgji”, tha Mahmuti.

Mahmuti ka falënderuar stafin udhëheqës të Akademisë si dhe personelin mjekësor për përgjigjen kaq masive të dhurimit të gjakut dhe për mundësinë e dhënë të organizimit të këtij aksioni.