Pjesëmarrësit e konferencës “Ndërlidhja me rrjete” vizituan Akademinë

28.10.2015

Vushtrri, 28 tetor 2015- Në kuadër të konferencës rajonale “Ndërlidhja me rrjete dhe qasja krahasuese në arsimin policor”, e organizuar nga Policia e Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe misioni i OSBE-së në Kosovë, pjesëmarrësit e kësaj konference sot vizituan Akademinë.

 

Për nderë të delegacionit u organizua parada e gjeneratës së 53-të të kadetëve të Policisë së Kosovës.

 

Para të pranishmëve ka folur Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi  i cili përshëndeti të pranishmit. Smakiqi duke iu uruar kadetëve suksese në rrugën e tyre drejtë  inkuadrimit në  Policinë e Kosovës, tha se Akademia është dhe do të vazhdojë të jetë institucioni më kryesor për trajnimin dhe aftësimin e pjesëtarëve të sigurisë publike.

 

Smakiqi tha se Akademia  ka bashkëpunim më vendet e rajonit dhe më gjerë, në fushën e sigurisë. Po ashtu ai tha se Akademia është edhe anëtare e disa asociacioneve ndërkombëtare. 

 

Ndërsa, Nikola Dujovski prodekan në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, gjatë fjalimit para kadetëve të gjeneratës së 53-të,  vlerësoi se konferenca rajonale “Ndërlidhja me rrjete dhe qasja krahasuese në arsimin policor”, është shumë e rëndësishme për të gjitha vendet pjesëmarrëse, ku mund të shkëmbehen përvoja dhe ide të ndryshme. “Është shumë e rëndësishme që të gjitha policitë e rajonit ta keni të njëjtin planë program të trajnimit”, u shpreh Dujovski duke thënë se policia nuk është një forcë, por është një shërbim ndaj qytetarëve.

 

Ndërkaq, Drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore në Policinë e Kosovës, Agron Rrukiqi, i uroi kadetët e rinj të Policisë së Kosovës që ta përfundojnë trajnimin bazikë me suksese. “Ju si kadetë të gjeneratës së 53  të policisë duhet të ndiheni shumë krenar. Uroi që këtë pjesë të trajnimit praktik dhe teorik që e keni në Akademi e cila zgjatë gjashtë muaj ta përfundoni më suksese”, tha Rrukiqi.