Filloi konferenca rajonale “Ndërlidhja me rrjete dhe qasja krahasuese në arsimin policor”

28.10.2015

Prishtinë, 27 tetor 2015 - Konferenca rajonale “Ndërlidhja me rrjete dhe qasja krahasuese në arsimin policor”, organizuar nga Policia e Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka filluar të mbahet sot.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni tha se kjo konferencë shërben për të trajtuar dhe për tu përballur me sfidat globale të sigurisë, ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin, krimin e organizuar ndërkombëtar, pastrimin e parasë dhe të gjitha ato fenomeneve negative që paraqesin rrezik për shoqërinë demokratike, për sigurinë e shteteve, por edhe të rajoneve dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi.

Me këtë rast, ministri Hyseni falënderoi qeverinë gjermane, OSBE-në dhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për organizmin e kësaj konference.

“Kjo konferencë shërben për krijimin e një mundësie që të këmbehen përvojat, të bëhen krahasimet, në mënyrë që të ndërtohet më e mira por edhe të konstatohet nevoja jetike që vendet e rajonit të ndërtojnë një front të përbashkët kundër krimit”, tha ministri Hyseni duke shtuar se kjo është për një të mirë të përbashkët, duke synuar interesin kolektiv, rajonal dhe më gjerë ndërkombëtar.


Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi duke u shprehur i privilegjuar që Akademia është bashkë nikoqirë e konferencës rajonale “Ndërlidhja me rrjete”, vlerësoj se mbajtja e kësaj konference është e rëndësishme për institucionet e sigurisë.

Smakiqi tha se kjo konferencë  është rast i mirë të shpalosen përvojat, arritjet dhe idetë në fushat e sigurisë publike.

Ai tha se mbajtja e kësaj konference është njëra prej  tri aktiviteteve të projektit të cilin e financon ambasada e Gjermanisë.

Drejtori Smakiqi gjatë konferencës ka folur rreth aktiviteteve siç janë, vizita studimore e menaxhmentit të Akademisë në Universitetin Policor Gjerman në Munster të Gjermanisë, i cili zhvillon programe master për policinë e atjeshme, për vizitën kthyese e këtij Universiteti si dhe për furnizimin e Akademisë me më shumë se 300 libra në gjuhën angleze dhe gjermane për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike.

“E njohur në publik si institucion i trajnimit dhe së fundi edhe arsimit të lartë, Akademia vazhdon të përkrahet nga partnerët e përhershëm OSBE, BE dhe ICITAP, si institucion kombëtar i trajnimit dhe arsimimit të lartë për të gjithë të punësuarit në institucionet e zbatimit të ligjit”, u shpreh  Smakiqi duke thënë se programi  studimor është rezultat i projektit dy vjeçar të binjakëzimit të Komisionit Evropian.

Po ashtu drejtori Smakiqi ka folur edhe për projektin e ri të binjakëzimit i cili fillon në nëntor tw këtij viti dhe zgjatë tri vjet, projekt ky i cili ka të bëjë me zhvillimin e trajnimeve, përkrahja e studimeve bachellor dhe funksionalizmin e Institutit të hulumtimit në  Akademi.

Smakiqi tha se Akademia është bashkëpunëtore e ngushtë më institucionet dhe asociacionet e sigurisë që janë përfaqësuese në konferencë.

Ai tha se Akademia ka marrëveshje bashkëpunimi me Akademitë Policore dhe të Sigurisë Publike të Finlandës, Estonisë dhe Shqipërisë.


Në fund drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi ka falënderuar ambasadën e Gjermanisë për donacionet dhe për gatishmërinë e përkrahjes  së vazhdueshme të Akademisë në fushwn e studimit dhe hulumtimit të sigurisë publike. Po ashtu ka falënderuar edhe OSBE-në për implementimin e këtyre aktiviteteve,  në veçanti të kësaj konference.

Zëvendës-udhëheqësja e Misionit të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen, tha se edukimi akademik është çështje themelore në sigurimin e hapave të mëtutjeshëm në sigurimin e efikasitetit dhe efektshmërisë në sigurinë publike.

Ndërsa shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger tha se roli primar i një sistemi funksional të zbatimit të ligjit është të luftojë krimin dhe kërcënimet e tjera dhe gjithashtu të ofrojë një mjedis të sigurt për njerëzit e saj.
“Nuk mund të ketë një sistem të tillë pa një polici të përgatitur mirë dhe nuk mund të ketë polici të mirë pa trajnime adekuate në institucionet e mirëfillta edukative”, tha Schlumberger.
Konferenca rajonale “Ndërlidhja me rrjete dhe qasja krahasuese në arsimin policor” do të zgjasë për tre ditë.