Kadetët e rinj u rreshtuan para Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë

25.09.2015

Vushtrri, 25 shtator – Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u rreshtuan në paradën e mëngjesit 290 kadetë të gjeneratës të 53-të të Policisë së Kosovës. Kadetëve  iu drejtuan  nënkolonel Driton Zabergja, drejtor i Trajnimeve Mandatare në Policinë e Kosovës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi.

Nënkolonel Zabërgja i njoftoi kadetët për trajnimin bazik të cilin do ta ndjekin në Akademi për gjashtë muaj si dhe për modulet e këtij trajnimi i cili çdo herë rifreskohet bazuar në nevojat e kompetencave të cilat duhet të i posedoi zyrtari policor.
Nënkolonel Zabërgja kërkoi nga kadetët që ta respektojnë në përpikëri orarin e trajnimeve, rregullat shtëpiake dhe të jenë të përkushtuar në përfundimin me sukses të trajnimit bazik, i cili atyre iu mundëson që nesër të jenë pjesë e Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi,  duke iu dëshiruar mirëseardhje kadetëve në Akademi, i inkurajoi për vendimin e tyre që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, profesionit më të respektuar prej qytetarëve, i cili iu bënë nder ju, familjeve tuaja dhe bashkëqytetarëve të vendbanimeve prej nga vini.

Smakiqi duke ju dëshiruar përfundim të suksesshëm të trajnimit bazik tha se Akademia ofron edhe trajnime të specializuara, avancuara të lidershipit si dhe ofrimin e studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike.

Kjo është java e parë e trajnimit bazik të Policisë së Kosovës dhe  kadetët  pritet të diplomojnë në funde të muajit mars të vitit 2016 dhe të i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.