Drejtori Smakiqi vizitë zyrtare në Shqipëri
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore Kastriot Jashari si dhe Udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë Avni Istrefi kanë qëndruar në një vizitë pune një ditore në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shtetit, në Tiranë (ASPShSh).
Delegacioni i AKSP-së është pritur nga Bilbil Mema , Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë së Policisë të Shtetit në Tiranë.
Gjatë këtij takimi u diskutua për harmonizimin e ideve dhe aktiviteteve të përbashkëta, arritjes sa më të shpejt dhe të drejtpërdrejt të qëllimeve mbi çështjet për të cilat janë në interes të përbashkët dhe kërkojnë implementim sa më të shpejt me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të dy Akademive.
Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe konkretizimi dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale në fushën e policisë për një numër të caktuar të zyrtarëve policor të Shqipërisë duke përfshirë fillimisht organizimin dhe zhvillimin e trajnimit për motoçiklist që mendohet të planifikohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Kjo vizitë është vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të dy Akademive për proceset e filluara të punës që nga nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në vitin e kaluar.