Akademia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Trajnimeve të Shërbimeve të Burgut dhe Sprovues dhe Universitetin Laurea të Shkencave të Aplikuara të Finlandës

11.09.2015

Në kuadër të vizitës zyrtare në Finlandë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim reciprok ndërmjet Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Institutit të Trajnimit të Shërbimeve të Burgut dhe Sprovues (RSKK),  dhe Universitetit Laurea të Shkencave të Aplikuara të Finlandës.

Qëllimi i marrëveshjes është krijimi i bashkëpunimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm ndërmjet tri institucioneve për të përkrahur objektivat e tyre strategjike në fushat e trajnimit, arsimit të lartë, hulumtimit, zhvillimit si dhe në marrëdhëniet me publikun.

Ndër të tjerash vlen të përmendet se ekspertët nga RSKK  dhe Laurea të Finlandës, kanë qenë pjesë e stories së suksesshme në implementimin e projektit të binjakëzimit, “Përmirësimi i arsimit në sektorët e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë” (KS 09 IB JH 01), financuar nga Komisioni Evropian me 1.5 milion euro dhe implementuar gjatë periudhës 2012-2014 nga shtetet anëtare Finlanda dhe Estonia me ç‘rast rezultoi në themelimin e arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike në AKSP.

Në kuadër të prioriteteve  bazuar edhe në Strategjinë Zhvillimore të AKSP-së 2014-2018 Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka bërë një hap tutje drejt  ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.