Filloi mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara në Akademi

27.06.2015
Vushtrri, 27 qershor 2015 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara. 

Në hapje e mini-olimpiadës morën pjesë, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail  Smakiqi, ambasadori i Ambasadës së Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, shefi i misionit të OSBE-së Jan Claude Schlumberger,  kryetarja e Komitetit  Paralimpik, Njomza  Emini, z/vendës komandanti i KFOR-it Anthony Waldner si dhe përfaqësues tjerë nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Presidentja e komitetit para olimpik Njomza Emini theksoi se është privilegj i madh dhe historik të ju mirëpres në ngjarjen e tret radhazi e pikërisht me OPFAKOS- mini-olimpiada 2015, i pari që prej njohjes historike të Kosovës edhe në Komitetin Olimpik Botërorë në dhjetor të vitit 2014.

Gjithashtu ajo theksoi se nëpërmjet organizimit të kësaj mini-olimpiade me karakter tradicional dërgojmë mesazhin e qartë institucioneve ndërkombëtare sportive se në Kosovë ka të rinj dhe të reja të komunitetit me nevoja të veçanta, që i përkasin komunitetit sportiv mbarë botërorë, dhe që zyrtarisht duan të bëhen pjesë e të gjithë sportistëve të botës për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë të një bote më paqësorë.

“Ndjej peshën, privilegjin dhe përgjegjësin që në një moment si ky të shumëpritur dhe të veçantë për secilin prej nesh, të përjetojmë krenarin, mirësinë dhe ngazëllimin që na e fal organizimi i mini-olimpiadës për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara”, tha Emini.

Ndërsa shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Claude Schlumberger, tha se sa i lumtur jam që të shoh të gjithë ju këtu sot në turneun mini-olimpik për personat me aftësi të kufizuara dhe jam i sigurt se do të jetë një fundjavë argëtuese me shumë lojëra dhe argëtim dhe me një shans për të bërë miq të rinj. 

Gjithashtu ai tha se kjo ngjarje nuk është vetëm për lojëra dhe argëtim kjo ka të bëjë me përfshirjen sociale dhe integrimin e secilit dhe çdo njërit prej nesh. Ngjarje si kjo ku ju mund të tregoni aftësitë tuaja dhe talentet janë të rëndësishme sepse ato na ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të na kujtuar se secili prej nesh është i talentuar  dhe se me ndihmën dhe drejtimin e duhur ne të gjithë mund të jemi të suksesshëm dhe të vlefshëm për komunitetin, tha Schlumberger.


OSBE-ja për herë të parë filloi mbështetjen e kësaj ngjarje në vitin 2005 këtu ne Akademi, dhe që atëherë kjo ngjarje ka evoluar dhe është e ndarë tani me Komunitetin Para-olimpik të Kosovës dhe partnerët e tjerë lokalë e ndërkombëtarë. Ne jemi të sigurt se nën drejtimin e Komitetit Para-olimpik të Kosovës ngjarja do të vazhdojë traditën e të ju sjellë të gjithë së bashku dhe do të vazhdojë të tërheqë vëmendjen tuaj, u shpreh Schlumberger.


Ambasadori i Ambasadës së Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, duke përshëndetur pjesëmarrësit e mini-olimpiadës tha se është i lumtur që merr pjesë në takimin e njerëzve të cilët kanë nevojë për përkujdesjen e shoqërisë. Ambasadori po ashtu shprehu kënaqësinë për prezencën e KFOR-it Italian të cilët sponzoruan mini-olimpiadën, si dhe prezencën e  karabinierëve italian të cilët janë vullnetar në shërbimit të personave me aftësi të kufizuar gjatë dy ditëve sa edhe zgjatë mini-olimpiada.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi fillimisht iu uroi mirëseardhje në Akademi duke theksuar se për Akademinë është një ngjarje mjaft me rëndësi sepse këtu gjatë dy ditëve radhazi zhvillohen aktivitete të ndryshme nga kjo pjesë mjaftë e rëndësishme e shoqërisë sonë. 

Ai tha se Akademia është e gatshme çdo herë të përkrah dhe të ndihmojë çdo qytetarë të Republikës së Kosovës. “Vetë organizimi i mini-olimpiadës tregon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë”, tha Smakiqi.

Në Akademi gjatë dy ditëve radhazi sa edhe zgjat  mini-olimpiada, nga personat me aftësi të kufizuara do të zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive si vrapim me karrocë, basketboll, hendboll, pikado shenjëtari etj.

Mini-olimpiada “Kosova 2015” është organizuar nga Komiteti Para-Olimpik i Kosovës dhe OPFAKOS “Prindi e Fëmiu”, dhe është përkrahur nga  KFOR-i Italian, OSBE-ja dhe Akademia. 
Ky komitet bashkë me institucione të tjera organizon për të trembëdhjetën herë me radhë mini-olimpiadën, e cila tashmë është bërë tradicionale dhe mbahet çdo vit.