Ministri Bajrami vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

23.06.2015

Vushtrri, 23 qershor 2015 – Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, sot vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi.  Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth projektligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë, konkretisht përfshirja e  propozimeve dhe komenteve të Akademisë. 


Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi fillimisht ka falënderuar ministrin Bajrami për përkrahjen. Drejtori Smakiqi gjatë takimit foli rreth funksionimit të Akademisë, trajnimeve dhe aktiviteteve. Në theks të veçantë drejtori Smakiqi foli për themelimin, hapjen dhe funksionimin e Fakultetit të Sigurisë Publike i cili është në kuadër të Akademisë. 


Ndërkaq duke folur rreth  projektligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë, i cili pritet shume shpejtë të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ministri Bajrami tha  se Akademia ka shënuar arritje të mëdha.


“Sa here që vizitoi Akademinë shoh përparime, ky institucion është e pasqyrë e arritjes se shteti tonë”, tha Bajrami. 

Ai tha se do ta përkrah Akademinë, konkretisht Fakultetin e Sigurisë Publike në rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e programeve. Ai ka vlerësuar lartë krijimin e kurrikulave në Fakultetin e Sigurisë Publike, po ashtu ai tha se ciklet e studimeve janë plotësisht në pajtim me ligjin dhe me standardet  e  Bolonjes. 

“Ju përgëzoj për kurrikulen, është i vetmi institucion ku është evalvimi i mësimit praktik me kredi”, u shpreh Bajrami i cili tha se edhe krijimi i organeve të qeverisjes se Fakultetit janë  sipas ligjit. 


 “Uroi që më kohë të filloi dizajnimi i programeve për master në mënyrë që këta studentë të cilët i mbarojnë studimet, të fillojnë më studime master. Ne kemi njohur Akademinë si një institucion specifik që ofron një arsim special të lartë”, tha Bajrami. 


“Dëshirojmë që Akademia të jetë lider dhe e vetmja që ofron standarde  në fushën e sigurisë”, u shpreh ai. 

Në fund ministri Bajrami shprehu  gatishmërinë  ta përkrah Akademinë konkretisht Fakultetin e Sigurisë Publike edhe në të ardhmen. 

Ndërsa Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Nazmi Iballi gjatë takimit ka folur rreth  funksionimit, misionit dhe vizionit të Fakultetit.

Propozimi për përfshirjen e Akademisë në draft/ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, të cilin e prezantoi Shpend Shabani, Drejtor i Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore ka zgjuar debat edhe nga mësimdhënësit e Fakultetit të Sigurisë Publike dhe u mirëprit nga Ministri Bajrami.