Diplomoi gjenerata e 52 e kadetëve të Policisë së Kosovës

12.06.2015

Vushtrri, 12 qershor  2015 – Që nga sot Policisë së Republikës së Kosovës do t’i shtohen edhe 141 zyrtar  policor.  Në Akademinë e Kosovës për  Siguri Publike (AKSP), pas një trajnimi gjashtë mujor sot diplomoi gjenerata e 52  e kadetëve të Policisë së Kosovës.

 

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skender Hyseni,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Kryetari  i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, drejtuesit e agjencioneve të Sigurisë Publike dhe institucioneve shtetërore, përfaqësues e  ICITAP-it, OSBE-së dhe KFOR-it.

 

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Skender Hyseni, gjatë ceremonisë së diplomimit  të gjeneratës së 52-të, të kadetëve tha se Policia e Kosovës  është një forcë demokratike, shumë funksionale dhe më e mira në rajon. 

 

“Policia e Kosovës është një  forcë multietnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie dhe feje”, u shpreh Hyseni duke thënë se policet e sapo diplomuar do të bëhen pjesë e një instrumenti të pazëvendësueshëm për rend dhe  ligj në Republikën e Kosovës. 

“Do të jeni në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në shërbim të sigurisë dhe në shërbimit të mirëqenies së secilit qytetar të vendit”, tha ministri Hyseni duke uruar kadetëve policor suksese në punën e tyre. Ai ka ftuar kadetët që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, e cila siç tha ai deri më sot ka dhënë prova të jashtëzakonshme të  një punë të shkëlqyeshme. 

 

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhumi vlerësoi se trajnimi i kadetëve policor është bërë ashtu siç kërkohet që të jetë Policia e Kosovës në nivel të standardeve më të larta. 

 

Maxhuni  para të pranishmëve tha se vizioni i Policisë së Kosovës është zbatimi i ligjit prandaj ka ftuar të gjithë zyrtarët  e rinj policor  që ta ndiqnin këtë rrugë. 

“Sundimi i rendit dhe ligjit është një parakusht esencial në të gjitha aspektet e shoqërisë”, u shpreh Maxhuni. 

 

Maxhuni ka ftuar të gjithë zyrtarët policorë që gjatë punës së tyre të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm. Ai ka uruar kadetët edhe për uniformen e re të Policisë së Kosovës. 

 

Ndërsa,  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, tha se Akademia vazhdon të jap kontribut të jashtëzakonshëm në ofrimin e trajnimeve për  pjesëtarët e sigurisë publike. Smakiqi gjatë fjalimit në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 52-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, tha se pesëdhjetë e dy gjenerata dhe më shumë se 12 mijë zbatues të ligjit janë trajnuar në Akademi. 

 

Drejtori Smakiqi vendimin e kadetëve për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës e ka vlerësuar shumë lartë duke thënë se profesioni i policit është profesion i shenjtë. “Akademia tani më është qendër e fort e të gjitha llojeve të trajnimit me bashkëkohore për të gjitha Agjensionet e Sigurisë Publike”,  tha Smakiqi . 

 

Para kadetëve të sapo diplomuar, drejtori Smakiqi, tha se Akademia do t’iu siguron trajnime të vazhdueshme dhe arsimim bashkëkohor. Në fund Smakiqi ka uruar kadetët për  diplomimin e tyre dhe për uniformen e re të Policisë së Kosovës. Ai i ka ftuar policët e rinj që ta dëshmojnë vetën  në punën e tyre ashtu siç e dëshmuan gjatë trajnimit bazik.