Akademia përfituese për herë të dytë e Projektit të Binjakëzimit

23.04.2015

Vushtrri,  23 prill 2015 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike po fillon një fazë të re të përkrahjes nga partnerët ndërkombëtarë e cila është përfituese e projektit të dytë  të  binjakëzimit nga Instrumenti për Ndihmë Para-anëtarësim (IPA II), të Komisionit Evropian (KE). 


Gjatë kësaj jave në Akademi po qëndron ekipi i ekspertëve nga Finlanda dhe Estonia, vende anëtare të cilët do të implementojnë projektin e binjakëzimit me titull “Forcimi i mëtejmë i arsimimit publik në Kosovë”.


Ekipi i ekspertëve nga Finlanda dhe Estonia janë duke punuar së bashku me personelin mësimdhënës të Akademisë dhe ekspertët e fushave të Agjencive të Sigurisë Publike në përgatitjen e dokumentit në të cilin do të përfshihen komponentët, aktivitetet dhe plani dinamik i projektit.


Projekti do të ketë tri komponentë; trajnim profesional,  programi bachelor i sigurisë publike dhe Instituti për Hulumtim. 


Më këtë projekt synohet mbështetja e dispozitave  të arsimit me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike në Kosovë,  duke forcuar kapacitetet trajnuese të AKSP-së dhe të gjitha Agjencitë e Sigurisë Publike. Për më tepër, projekti synon forcimin e programit Bachelor  në Akademi me qëllim të përmbushjes së plotë të standardeve të Bashkimit Evropian  dhe ato ndërkombëtare.


Ky projekt do të fillojë nga tetori i këtij viti ku do të zgjasë tri vite (2015 – 2018)  dhe do të ketë koston 1.4 milion euro. 



Ndryshe  në vitin e kaluar ka përfunduar projekti dy vjeçar i binjakëzimit nga programi IPA-së i cili ka rezultuar me programin studimor  katër  vjeçar bachelor  të akredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë gjegjësisht nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës. 


Realizimi i të gjitha këtyre proceseve, bëri të mundshëm që në Akademi të themelohet Fakulteti i Sigurisë Publike në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.