U hapë Fakulteti i Sigurisë Publike
Vushtrri, 15 tetor 2014 Në Fakultetin e Sigurisë Publike sot fillojë viti i parë akademikë për vitin 2014/2015 ku do ti ndjekin studimet 69 pjesëtarë të sigurisë publike në programin studimor Bachellor në fushën e sigurisë. Fakulteti i Sigurisë Publike i cili është në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike është i akredituar nga Agjencia e Akreditimit.
Në ceremoninë e hapjes së këtij fakulteti morën pjesë: zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ud/i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, drejtori i Akademis, Ismail Smakiqi, drejtues të Agjencive të Sigurisë Publike, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve, fillimisht të Policisë së Kosovës, pastaj Doganës, Shërbimit Korrektues, Menaxhimit të Emergjencave, Shërbimit Sprovues dhe Inspektoratit Policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka vlerësuar lartë punën e Akademisë e cila në përkrahje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe pas një angazhimi të jashtëzakonshëm po hapet Fakulteti i Sigurisë Publike, përkatësisht fillimi i funksionimit të programit studimor katërvjeçar Bachelor, në sigurinë publike, i dizajnuar në pajtueshmëri me sistemin e Bolonjës për arsimin e lartë, tha Zeka.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka përgëzuar Akademinë për një arritje kaq të rëndësishme, siç është hapja e Fakulteti të Sigurisë Publike.
Hapja e këtij Fakulteti është bërë me qëllim të avancimit të punës profesionale në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Hapja e këtij fakulteti është një etapë e re me qëllim të avancimit profesional, i cili do të ndikojë në mënyrë pozitive në punën e pjesëtarëve të sigurisë publike, u shpreh Maxhuni.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi e quajti moment historik hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike.
Akademia që nga sot fillon në praktik funksionalizimin e nenit 2, pika 1 të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, i cili Akademinë e bënë institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimit dhe arsimit të lartë, si dhe zhvillimin e kapacitete në fushën e sigurisë publike, tha Smakiqi.
Drejtori i AKSP-së Ismail Smakiqi, theksoi se Akademia është i vetmi institucion kombëtar i trajnimit dhe arsimimit, ku më shumë se 12 mijë të punësuar në agjenci të sigurisë publike kanë përfunduar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Ai tha se gjatë 15 vjetëve në Akademi janë shënuar mjaftë të arritura ku tash më hapjen e fakulteti po shënohet një e arritur e madhe. Gjatë fjalimit drejtori Smakiqi ka përmendur disa faktet të rëndësishme për Akademinë;
Për çdo vit së paku 5000 vijues kryejnë trajnime të specializuara dhe të avancuara, së paku 20% e këtyre trajnimeve vazhdojnë të përkrahen nga instruktor ndërkombëtar, akademia çdo vit është duke dëshmuar se dëshiron të jetë Qendër e eksilencës për trajnimin e oficerëve të lartë të zbatimit të ligjit, është përfshirë në të gjitha asociacionet e akademive dhe kolegjeve të zbatimit të ligjit në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunon ngushtë me komunitetin, në përputhje me vizionin e saj, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe ngritjes të sigurisë të qytetarit, tha Smakiqi duke falënderuar të gjitha Institucionet vendore dhe ndërkombëtare për kontributin e tyre dhe përkrahjen e Akademisë.
Para studentëve të vitit të parë akademik 2014/2015 një fjalë rasti ka mbajtur edhe dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Nazmi Iballi. Ai tha se programi studimor i akredituar përmban në vete traditën e vlerave civilizuese evropiane në fushën e sigurisë.