Filloi trajnimi Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës
Vushtrri 18 gusht 2014 Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi trajnimi dhjetë javor Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës, ku do të marrin pjesë 42 udhëheqës të lartë të policisë nga të gjitha vendet e rajonit.
Në ceremoninë e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Bajram Rexhepi, drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, menaxheri i Programit ICITAP për Kosovë Camerun Fisher si dhe përfaqësues të Universitetit Northwestern.
Këtë trajnim përveç përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës, do ta ndjekin edhe përfaqësues të lartë nga policia e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se trajnimi i përbashkët i oficerëve policorë nga vendet e rajonit do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit me qëllim të sigurimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt. Ky model i trajnimeve duhet të jetë edhe model i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, tha Rexhepi.
Ministri Rexhepi e falënderoi ICITAP-in dhe qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës në gjitha fushat.
Organizimin e këtij trajnimi e vlerësoi lartë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ai tha se ndjekja e këtij kursi, do tu ndihmojë pjesëtarëve të sigurisë publike që të fitojnë njohuri edhe më shumë në fushën e tyre.
Ky trajnim u jep mundësi për përgatitjen e kuadrove në institucionet e sigurisë që ta realizojnë sa më mirë rolin e udhëheqësit, tha Maxhuni.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, tha se mbajtja e këtij trajnimi në Akademi është një privilegj i madh.
Dimensioni regjional i Shkollës Ndërkombëtare e bënë të pakrahasueshëm këtë kurs dhjetë javor, aq më parë kur mbahet nga Universiteti Northwestern, lider i Universiteteve të Sigurisë Publike në botë, u shpreh Smakiqi.
Smakiqi tha se mbajtja e këtij trajnimi e bënë Akademinë edhe më të besueshme për vendet e regjionit dhe partnerët e saj, hap perspektiv të partneritetit me të gjitha institucionet akademike të ngjashme në regjion dhe më gjerë.
Drejtori Smakiqi ka vlerësuar se Shkolla Ndërkombëtare e Stafit Policor dhe Komandës është rast unik për oficerët policor të regjionit përmes së cilës ngritin nivelin profesional dhe përfitojnë njohuri të shkëlqyera nga fusha e sigurisë publike.
Mësimet të cilat do ti merrni padyshim do të avancojnë njohuritë tuaja në fushën e sigurisë publike, do të ndikojnë në përformancën tuaj profesionale dhe të organizatave ku ju punoni, gjithashtu është një rast i shkëlqyeshëm në këmbimin e përvojave reciproke dhe përforcimin e bashkëpunimit, tha Smakiqi. Ky trajnim është organizuar nga ICITAP-i, ndërsa ligjërues do të jenë nga Universiteti Northwestern