Një delegacion nga ushtria gjermane vizitoi Akademinë

29.07.2014

Vushtrri, 29.07.2014- Sot Akademia e Kosovës për Siguri Publike u vizitua nga një delegacion i ushtrisë së Republikës Federale të Gjermanisë i kryesuar nga Gjeneral Brigade Schnittker, Komandant i njësive ushtarake që veprojnë brenda dhe jashtë Gjermanisë dhe Shef i Këshilltarëve të FSK-së, i shoqëruar nga Zëvendës Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në misionin e OSBE-së në Kosovë, Carsten Tweilmeier. Delegacioni gjerman u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, me bashkëpunëtorë. Të pranishmit u njoftuan me fushëveprimtarinë e Akademisë, përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot, duke vënë në theks të veçantë zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me themelimin e Fakultetit të Sigurisë Publike. Delegacioni u interesua edhe për bashkëpunimin e AKSP-së me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Republikën Federale të Gjermanisë. Me këtë rast, delegacioni u informua lidhur me bashkëpunimin që AKSP ka me FSK-në, me kontributin dhe bashkëpunimin me institucione të ndryshme nga Gjermania si dhe me gatishmërinë e AKSP-së që të jetë qendër rajonale në Evropën Jug-Lindore për arsim në fushën e Sigurisë Publike.

Në fund të vizitës, delegacioni nga ushtria gjermane për AKSP-në shprehu përshtypjet më të mira si një institucion i mirëfilltë në fushën e arsimit në siguri publike. Përderisa Smakiqi me bashkëpunëtorë falënderoi ata përzemërsisht për tërë kontributin që ka dhënë komuniteti ndërkombëtar për AKSP-në, përfshirë KFOR-in, shtetin gjerman dhe organizma e institucione të tjera.