Në Akademi u mbajt mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara
Drejtori për Trajnime dhe Përkrahje Programore, Kastriot Jashari, vlerësoi se mini-olimpiada është një nga aktivitetet më të rëndësishme që zhvillohen në Akademi.
Ai tha se Akademia është e gatshme çdo herë të përkrah dhe të ndihmojë çdo qytetarë të Republikës së Kosovës. Vetë organizimi i mini-olimpiadës tregon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë, tha Jashari.
Ndërsa presidentja e komitetit paraolimpik Njomza Emini tha se nëpërmjet organizimit të kësaj mini-olimpiade me karakter tradicional dërgojmë mesazhin e qartë institucioneve ndërkombëtare sportive se në Kosovë ka të rinj dhe të reja të komunitetit me nevoja të veçanta, që i përkasin komunitetit sportiv mbarë botërorë, dhe që zyrtarisht duan të bëhen pjesë e të gjithë sportistëve të botës për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë të një bote më paqësorë.
Ndjej peshën, privilegjin dhe përgjegjësin që në një moment si ky të shumëpritur dhe të veçantë për secilin prej nesh, të përjetojmë krenarin, mirësinë dhe ngazëllimin që na e fal organizimi i mini-olimpiadës për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, tha Emini.
Në Akademi gjatë dy ditëve radhazi sa edhe ka zgjatur mini-olimpiada, nga personat me aftësi të kufizuara janë zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive si vrapim me karrocë, basketboll, hendboll, pikado shenjëtari etj.
Mini-olimpiada Kosova 2014 është organizuar nga Komiteti Para-Olimpik i Kosovës dhe OPFAKOS Prindi e Fëmiu, dhe është përkrahur nga OSBE-ja dhe Akademia.
Ky komitet bashkë me institucione të tjera organizon për të dymbëdhjetën herë me radhë mini-olimpiadën, e cila tashmë është bërë tradicionale dhe mbahet çdo vit.