Këshilli Ekzekutiv i Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi mbajti takimin e radhës në Akademi

17.10.2013

Vushtrri, 17 tetor 2013 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot u mbajt takimi i radhës i Këshillit Ekzekutiv të Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi. Në këtë takim të pranishëm ishin ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi si dhe përfaqësues të ndryshëm nga organizatat ndërkombëtare.
 Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi theksoi se jemi të angazhuar maksimalisht në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligjet dhe strategjitë. Kjo është e mundur përmes krijimit të mekanizmave që shërbejnë për krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët e Kosovës. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë në krijimin e trupave dhe mekanizmave tjerë për zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës, mirëpo jemi në vazhdimësi duke punuar për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe një përgjegjshmëri për funksionimin e shtetit të së drejtës përkatësisht të sigurisë dhe për të garantuar sigurinë nga dukuritë negative në jetën e përditshme. “Me themelimin e Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi qytetari bëhet pjesë aktive e bërjes së politikave të sigurisë në komunën e vet, krijon partneritet ndërmjet bashkësisë për identifikimin e krimit dhe adresimin e çështjeve të sigurisë”, tha Rexhepi.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku tha se komuna po jep përkrahje këtyre ekipeve vepruese në kryerjen e detyrave të veta që kanë. Komuna po punon për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e komunës pa dallim përkatësie që siguria e qytetarëve të jetë një faktor i rëndësishëm i stabilizimit dhe jetës së lirë për të gjitha komunitetet.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni theksoi se për Policinë e Kosovës funksionimi i mekanizmave të sigurisë publike në veçanti për Ekipet Vepruese në Bashkësi do të jenë me rëndësi në përkrahjen e Policisë dhe veprimtarive të saj nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë në tersi, në përmirësimin reciprok dhe besimit të ndërsjellët, zvogëlimin e nivelit të kriminalitetit, delikuencës dhe sjelljeve asociale.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka kënaqësinë të jetë nikoqire e këtij takimi si dhe e shumë takimeve dhe aktiviteteve tjera të Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi.
 Akademia ka eksperienca të bashkëpunimit me komunitete të cilat mbështeten nga partnerët tanë ICITAP dhe OSBE dhe me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të Ekipeve Vepruese ka ofruar një zyre dhe kushte tjera të nevojshme për këto Ekipe. Akademia do të vazhdoj edhe në të ardhmen të mbështes këto aktivitete.
Këshilli Ekzekutiv i Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi mblidhet dy herë në vit dhe përbëhet nga dy deri në tre përfaqësues të përzgjedhur nga secila EVSB-ë në nivel të Kosovës. Këshilli Ekzekutivë i EVSB-së paraqet një forum të rëndësishëm kombëtarë ndër komunal për komunikim, bashkëpunim dhe koordinim. Që nga viti 2004 e deri më tani janë mbajtur gjithsejtë 28 takime të Këshillit Ekzekutivë të EVSB.