U mbajt konferenca e tretë e Trajnimeve Policore të Vendeve të Ballkanit

24.09.2013

Vushtrri, 23 shtator 2013 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Policia e Kosovës organizuan konferencën e tretë të Trajnimeve Policore të Vendeve të Ballkanit (BALPEK), ku morën pjesë përfaqësues nga Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia dhe Shqipëria.

Temë diskutimi në këtë konferencë ishte “Qasja  bashkëkohore në arsimin dhe trajnimin e policisë”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se bashkëpunimi rajonal në të gjitha fushat, e veçmas në fushën e trajnimeve policore,  është i rëndësishëm për AKSP-në, ku ky bashkëpunim në vazhdimësi ka dëshmuar rezultate pozitive.

“Me përkrahjen e Komisionit Evropian, Programi i arsimit të lartë në Akademi është në fazën finale të themelimit. Synojmë që përmes arsimimit të rrisim më shumë cilësinë profesionale në trajnimet policore”, tha ministri Rexhepi.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger tha se misioni që drejton ai ka qenë gjithherë i përfshirë në fushën e trajnimit dhe edukimit policor. 

“Trajnimi Policor dhe edukimi është diçka në të cilën misioni i OSBE-së ka qenë i përfshirë, qysh nga fillimi. Gjithmonë ka qenë një aspekt shumë i rëndësishëm i punës sonë. Pa trajnim të duhur të policisë nuk mund të ketë sundim dhe zbatim të ligjit. Gjithashtu nuk mund të ketë polici të trajnuar pa trajnime të mira policore dhe pa institucione të edukimi”, tha Schlumberger.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se Policia e Kosovës në kuadër të qëllimeve strategjike ka edhe ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

“Policia e Kosovës ka interesin e saj të jetë e përfshirë në të gjitha mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtarë, për të dhënë kontributin e saj në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit, në veçanti të krimit të organizuar”, tha Maxhuni.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, tha se për rritjen e aftësisë profesionale dhe kompetencës në fushën e sigurisë publike nevojitet më shumë njohuri se sa vetëm aftësim përmes trajnimeve. 

“Ndryshimet e shpejta të natyrës së krimit, shtrirja e tij në përmasa globale kërkon ngritjen dhe respektimin e standardeve akademike në përmasa të gjera gjeografike”, theksoi Smakiqi.

Kjo është konferenca e tretë  e BALPEK-ut, ndërsa dy konferencat e para janë mbajtur në Nazil të Turqisë.