Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhuroi mbi 88 doza gjak

13.09.2013

Vushtrri  13 shtator 2013 – Një numër i madh i kadetëve të Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor të Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë që punojnë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot në mënyrë vullnetare dhuruan gjak.
 
Aksioni humanitar i dhurimit të gjakut është realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Shëndetësor të Policisë së Kosovës, Transfuzionin e Gjakut nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe ekipin mjekësor të  AKSP-së.

Gjatë këtij aksioni një ditor të mbajtur në Akademinë janë dhuruar mbi 88 doza gjak, për nevojat e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut.

Ekipi mjekësor i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit në bashkëpunim me ekipin mjekësor të policisë kanë vizituar Akademinë për t’ju  mundësuar pjesëtarëve që të dhurojnë gjak pa shkëputje nga detyrat dhe aktivitetet e punës.

 Personeli mjekësor thanë se thirrjes për dhënien e gjakut në mënyrë vullnetarë i janë përgjigjur një numër i madh i pjesëtarëve të Institucioneve të Sigurisë Publike të cilët janë duke ndjekur trajnime në Akademi.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi gjatë vizitës së tij tek personeli mjekësor ku grumbullonin gjak u shpreh i kënaqur që Akademia është bërë një shembull i mirë për dhurimin e gjakut.

“Dhurimi i gjakut është një sakrificë dhe ndihmë e madhe për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për gjak”, tha Smakiqi.