Akademia lidh marrëveshje me Estoninë dhe Finlandën

09.09.2013

Vushtrri, 09 shtator 2013 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Estonisë për Sigurinë Publike dhe Akademinë Policore të Finlandës. Kjo u bë gjatë një vizite zyrtare që drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi i shoqëruar nga udhëheqësi i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, Avni Istrefi patën në Finlandë dhe Estoni.
Të tri Akademitë ajo e Kosovës, Estonisë dhe Finlandës  përmes kësaj marrëveshje kanë vendosur që ta përkrahin njëra tjetrën për përfitime të përbashkëta duke shprehur gatishmërinë e tyre për të kontribuar në rritjen e lidhjeve kulturore, arsimore, hulumtuese dhe zhvillimore.
“Marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë për Sigurinë Publike të Estonisë dhe Akademisë Policore të Finlandës janë marrëveshjet e para të AKSP-së me Akademi të vendeve nga BE-ja. Këto marrëveshje janë fryt i njohjes nga afër të tri Akademive pas më shumë se një viti e gjysmë dhe rezultat i Projektit të Binjakëzimit të Komisionit Evropian, të cilin e implementojnë ekspertët e sigurisë publike nga Akademitë përkatëse të Finlandës dhe Estonisë. Kjo marrëveshje vlerësohet posaçërisht nga AKSP për faktin që AKSP është pranuar partnere reciproke dhe këtë fakt e kuptojmë si inkurajim në rrugën dhe misionin tonë”, tha drejtori Smakiqi

Marrëveshja përfshinë; zhvillimin dhe bashkërendimin e studimeve nën-diplomike dhe pas-diplomike, lidhjet e hulumtimit dhe zhvillimit, shkëmbimin dhe vizitat e personelit akademik si dhe shkëmbimin e studentëve. 
Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, Rektor i Akademisë së Estonisë për Sigurinë Publike, Lauri Tabura dhe Kimmo Himberg rektor në Akademinë Policore të Finlandës.

Ndryshe Akademia e Kosovës për Siguri Publike pritet që gjatë muajit shtator të aplikoj në Agjencinë e Kosovës për Akreditim për akreditimin e programit të Fakultetit të Sigurisë Publike – nivelin Bachelor dhe këto marrëveshje do të i shërbejnë AKSP-së si mbështetje e njohjes ndërkombëtare të vlerave të saja.