Cena kampion bote ne xhudo
Vushtrri 16 gusht 2013 - Nga data 1 gusht deri me 5 gusht 2013 në Belfast të Irlandës pjesëtari i Policisë së Kosovës, instruktor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike rreshter Anton Cena, ka arritur që të fitojë medaljen e artë në sportin luftarak të xhudos në kategorinë 66 kg-MS në kampionatin botëror të policisë dhe zjarrfikësve, ku marrin pjesë zyrtarë policorë dhe zjarrfikës nga e gjithë bota.
Cena në këtë kampionat është paraqitur si përfaqësues i Policisë së Kosovës dhe i përkrahur nga trajneri i tij ka zhvilluar dy gara duke u prezantuar në mënyrë dinjitoze në disiplinën ku ai ka garuar dhe duke fituar medaljen e artë.
Në ndeshjen filane Cena ka luftuar kundër garuesit rus duke arritur ta mposhtë atë dhe të ngritë flamurin e shtetit të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës në nivelet më të larta.
Ky kampionat mbahet çdo dy vite dhe kjo është hera e parë që pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë në një garë të tillë, dhe kjo është medalja e parë e fituar nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, instruktor në Akademi rreshter Anton Cena. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë më shumë se 7000 mijë pjesëtarë dhe kanë garuar në 58 disiplina të ndryshme.
Anton Cena punon në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ku trajnon kadetët e Policisë në fushën e taktikave të mbrojtjes dhe ushtrimeve fizike.