Në AKSP u mbajt Miniolimpiada për persona më aftësi të kufizuara

17.06.2013

Vushtrri, 16 Qershor 2013 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), për dy ditë radhazi u mbajt Miniolimpiada tradicionale për të rinj me aftësi të kufizuara,“Kosova 2013”, ku morën pjesë më shumë se 450 të rinj. Në hapjen e Miniolimpiades morën pjesë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, shefi i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajdin Abazi, ambasadori i Anglisë Ian Cliff dhe zyrtar tjerë nga institucionet e Republikës së Kosovës.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalimin e saj tha se vetë organizimi i Miniolimpiades tregon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë.

Më këtë rast presidentja Jahjaga ka falënderuar OSBE-në e po ashtu edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike që siç tha ajo me kontributin e saj po arrin gjithnjë e më shumë të ndërtojë një shoqëri të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
“Pjesëmarrësit në këtë miniolimpiadë po tregojnë se me vullnet të fortë, mund të thyhen të gjitha barrierat dhe të tejkalohet çdo vështirësi”, tha Jahjaga.
 Ajo tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar që të ndërtohet një shoqëri gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese, që ofron mundësi të barabarta dhe i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të saj pa dallime.
 Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi vlerësoj se Miniolimpiada është një nga aktivitetet më të rëndësishme që  zhvillohen në Akademi. 
Ai tha se Akademia është e gatshme çdo herë të përkrah dhe të ndihmojë çdo qytetarë të Kosovës.
“Akademia do të vazhdoi me përkushtim të përmbush misionin e saj, të ofroi të gjitha llojet e trajnimeve, e së shpejti edhe arsim të lartë, hulumtim dhe zhvillim për Agjencitë e Sigurisë Publike. Akademia edhe gjatë ditëve të Miniolimpiadës e dëshmoi vetën duke marrë pjesë vullnetarisht në të gjitha aktivitetet e Miniolimpiadës”, tha Smakiqi

Edhe ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger ka shprehur kënaqësinë e tij që Miniolimpiada po mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Ai tha se së çdo shoqëri është përgjegjëse që të luftojë paragjykimin, diskriminimin e në disa raste izolimin e personave me aftësi të kufizuar,
“Gara e sotme është për personat me dhe pa aftësi të kufizuara dhe jam i sigurt se shumë persona që nuk janë me aftësi të kufizuara, në fund do ta humbasin garën. Duhet të jemi mendje hapur, që mos t’i shohim personat  për atë çka nuk mund të bëjnë, por për atë çka mund të bëjnë dhe të sigurohemi që legjislacioni progresiv  anti-diskriminues i Kosovës të zbatohet plotësisht”, u shpreh Jean-Claude Schlumberger. Presidentja e Komitetit Para-
Olimpik të Kosovës, Njomza Emini tha se me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës, u themelua Komiteti Para-Olimpik i Kosovës.

“Ky Komitet bashkë me institucione të tjera organizon për të dymbëdhjetën herë me radhë mini-olimpiadën, e cila tashmë është bërë tradicionale dhe mbahet çdo vit në muajin qershor”, tha Emini.

Mini-olimpiada “Kosova 2013” është organizuar nga Komiteti Para-Olimpik i Kosovës dhe OPFAKOS “Prindi e Fëmiu”. Miniolimpiada e cila organizohet nga OPFAKOS, përmban aktivitete të ndryshme sportive si vrapim me karrocë, basketboll, hendboll, pikado shenjëtari etj.