Në MPB u mbajt ceremonia e hapjes së Zyrës Koordinuese për Forumet e Sigurisë

31.05.2013

Prishtinë, 31 maj 2013 - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e hapjes së Zyrës Koordinuese për Forumet e Sigurisë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Në këtë ceremoni morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, menaxheri i Programit të
Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ICITAP), Darrel Hart, drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, kryesuesi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ministri Bajram Rexhepi theksoi se hapja e Zyrës Koordinuese për Forumet e Sigurisë  synon zbatimin e suksesshëm të Strategjisë për policinë në bashkësi, e cila është në përputhje me Planin Zhvillimor Strategjik të PK-së 2011-2015.

“Kjo zyrë do të koordinojë punën e mëtejshme të mekanizmave të sigurisë në bashkësi në Kosovë dhe do të krijojë mjedis edhe më të sigurt për jetesë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ministri Rexhepi.

Menaxheri i programit të ICITAP-it, Darrel Hart, tha se përmes programit të Policisë në Komunitet, ICITAP hartoi programin për Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi (EVSB) qysh para dhjetë vjetësh.

“Tashmë janë 34 EVSB të themeluara të cilat kanë për qëllim që të identifikohen problemet e sigurisë në komunitet siç janë: ndalimin e rasteve të dhunës nëpër shkolla, përdorimit të drogës, parandalimit të vetëvrasjes, parandalimit të keqtrajtimit të fëmijëve dhe dhunës familjare, etj.”, tha Hart.

Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger u shpreh i kënaqur me themelimin e kësaj zyre, e cila sipas tij tregon përpjekjet për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës që lidhen me zhvillimin dhe sigurinë në bashkësi.
 
Organizimi i forumeve të sigurisë është në tri nivele. Në nivelin bazë janë Komitetet  Lokale për Siguri Publike dhe Ekipet Vepruese për Siguri në Bashkësi, në nivelin komunal janë Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi dhe në nivelin e lartë është Grupi drejtues për implementimin e Strategjisë për Siguri në Bashkësi.