Smakiqi priti një delegacion nga Finlanda
Vushtrri, 24 prill 2013 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e vizitoi një delegacion nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës.
Delegacioni ishte i udhëhequr nga Marjo Anttoora, Sekretare e Shtetit të Finlandës .
Qëllimi i këtij takimi ishte informimi më për së afërmi me misionin, aktivitetet si dhe me Projektin e Binjakëzimit të financuar nga Komisioni Evropian, i fituar nga Finlanda dhe Estonia e që ka të bëjë me përmirësimin e arsimimit të lartë në Akademi.
Drejtori Smakiqi, fillimisht i informoi delegacionin me punët dhe proceset e rëndësishme të cilat po kalon Akademia. Në veçanti ai foli për Projektin e Binjakëzimit, projekt mjaft i rëndësishëm për Akademinë, i cili ka për synim ngritjen dhe përmirësimin e cilësisë së arsimimit për të gjithë pjesëtarët e sigurisë publike në vend.
Ai falënderoi shtetin e Finlandës dhe Estonisë që përmes eksperteve në fushën e arsimit po japin kontributin e tyre profesional, në realizimin e këtij projekti.
Ndërsa Sekretarja e Shtetit të Finlandës Marjo Anttoora, theksoi se ngritja e arsimimit, për pjesëtarët e sigurisë publike luan një rolë të rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme jo vetëm për qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe më gjerë. Ajo inkurajoi Akademinë për punën e bërë deri me tani dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.