Në AKSP diplomoi gjenerata e 43 e Policisë së Kosovës

13.07.2012

Vushtrri, 13 korrik 2012 –  Pas një trajnimi njëzetë javor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), të premten diplomuan njëqind e tridhjetë e tre kadetë të rinj për Policë të Kosovës. Prej tyre kanë qenë 13 femra dhe 17 minoritete. Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, drejtori i Përgjithshëm në Policinë e Kosovës, Shpend Maxhuni, Rektori i Universiteti të Prishtinës Mujë Rugova, komandanti i Forcës së Sigurisë, Kadri Kastrati, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, përfaqësues të zyrave diplomatike në Kosovës,  përfaqësues të ICITAP-it dhe OSBE-së si dhe përfaqësues të institucioneve tjera në vend. 

Ministri i MPB-së, Bajram Rexhepi tha se policët e sapo diplomuar do të marrin detyra dhe përgjegjësi të reja për ruajtjen e rendit dhe qetësisë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ai gjatë fjalimit të tij tha se Policia e Kosovës është njëri ndër Institucionet më të avancuara në vend. Ministri i ka uruar kadetë e rinj në punën e tyre dhe ka kërkuar nga ta angazhim konkret në teren dhe respektimin e punës  dhe eprorëve të tyre. 

“Puna policore vlerësohet ndër punët më të rrezikshme. Puna jonë e përbashkët dhe tejkalimi i sfidave padyshim se kërkon sakrifica, por gjithmonë shpaguhet dhe në ketë rast, Policia e Kosovës është argumenti më i mirë se këto sakrifica dhe mundime po shpaguhen me të arritura të mëdha dhe përkrahje nga qytetarët e Kosovës”, tha Rexhepi. Ministri më këtë rast tha se Akademia e Kosovës me përkrahjen e OSBE-së, ICITAP-it dhe Komisionit Evropian do të jetë shembull për të mirë në tërë rajonin dhe më gjerë.

“Gjithashtu unë besoj se me reformat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura, ne po avancojmë në procesin e integrimeve evropiane dhe jam i sigurt që disa nga ju do të kontribuoni edhe në sigurinë rajonale dhe atë ndërkombëtare si pjesë e misioneve jashtë shtetit”, u shpreh ministri Rexhepi.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për të qenë profesionale, e zhvilluar dhe moderne, drejt përmbushjes së synimeve të saja që janë luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, ekonomisë joformale në tërësi, si dhe avancimin e kontrollit dhe sigurisë ndërkufitare. Drejtori Maxhuni më këtë rast tha se Policia e Kosovës është vizioni i qytetarëve të Republikës së Kosovës

Edhe drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës, Ismail Smakiqi ka uruar kadetët për diplomimin e tyre, ndërkohë që tha se si zyrtarë policor do të ballafaqohen me suksese dhe sfida gjatë kryerjes së detyrës.

Drejtori Smakiqi tha se Akademia do të vazhdojë të kontribuoj në trajnimin e zbatueseve të ligjit, respektimit të rëndit dhe sigurisë në vend.

“Akademia është institucion i të gjitha llojeve të trajnimeve  më bashkohore për të gjithë pjesëtarët e sigurisë publike. Akademia është e gatshme të marrë përgjegjësi në arsimimin superior për gjitha Agjensionet e Sigurisë Publike”, u shpreh Smakiqi duke thënë se ngritja e cilësisë së trajnimeve dhe arsimi i lartë janë prioritet e Akademisë.

“Qytetarët me padurimi presin inkuadrimin e juaj në Policinë e Kosovës. Meritoni pritjet e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy”, tha Smakiqi.