Ish luftëtarët libianë vizituan AKSP-në
Vushtrri, 14 maj 2012 Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Komisioni për Çështje të Luftëtarëve i përberë prej 30 personave të cilën kanë qenë ish - luftëtarë në Libi sot kanë përfunduar një ligjëratë përmes së cilës kanë marrë përvojat nga Kosova se si bëhet transformimi nga jeta ushtarake në atë civile. Ish- luftëtarët libianë gjatë qëndrimit në AKSP kanë fituar njohuri rreth programit se si bëhet demobilizimi, çarmatimi dhe riintegrimi i personave ushtarakë dhe inkuadrimi i tyre në institucione. Për përgatitjen e kësaj vizite në AKSP është përkujdesur organizata SPARKS nga Holanda e cila u ka sugjeruar ish- ushtarëve libianë se trajnimet dhe përvojat për çarmatimin e ushtarëve mund ti marrin në Kosovë. Ish ushtarëve nga Libia u kanë ligjëruar ekspertë të sigurisë publike dhe instruktorë nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Agjencionit të Menaxhimit të Emergjencave. Po ashtu gjatë këtij pilot studimi i cili është mbajtur në AKSP kanë ligjëruar edhe ekspertë të sigurisë publike nga UNDP-ja. Ligjërata ka zgjatur shtatë ditë.