Komiteti për Çështje të Luftëtarëve nga Libia vizitoi AKSP-në

13.03.2012

Vushtrri, 13 mars 2012 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizitoi një delegacion i Komitetit për Çështje të Luftëtarëve nga Libia i udhëhequr nga Mustafa al-Sagizli. Delegacioni u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, nënkolonel Driton Zabërxha si dhe nga stafi menaxhues i akademisë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi e informoi delegacionin për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike si dhe paraqiti objektivat dhe prioritet e akademisë që synohen të arrihen në të ardhmen.

Drejtori Smakiqi po ashtu e ka njoftuar delegacionin për trajnimet dhe aktivitet që zhvillohen në AKSP nga të gjitha  institucionet e sigurisë publike.

Me këtë rast Smakiqi tha se AKSP ka krijuar raportet të mira bashkëpunimi me të gjitha akademitë policore të vendeve të rajonit.

“Akademia e Kosovës për Siguri Publike është e gatshme të bashkëpunoi me të gjitha Akademitë që kujdesen për rendin dhe sigurinë e vendit. Objektivi ynë është krijimi i besueshmërisë dhe bashkëpunimi me komunitetet”, tha Smakiqi.

Ndërsa përfaqësuesi i Policisë së Kosovës në AKSP, nënkolonel Driton Zabërxha, tha se bashkëpunimi në mes të PK-së dhe organizatave qeveritare dhe jo qeveritare vendore dhe ato ndërkombëtare ka qenë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ne synojmë që të arrijmë qëllimin për një polici me standarde demokratike e integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Zabërxha.

Ndërkaq përfaqësuesit e Komitetit për Çështje të Luftëtarëve nga Libia kanë shprehur interesimin e tyre për tu njohur me për se afërmi më trajnimet dhe aktivitet që zhvillohen në AKSP.