Në QKSPEZH u bë prezantimi i projektit “Përmirësimi i arsimit në sektorët e sigurisë publike”

30.11.2011

Vushtrri, 29 nëntor 2011- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ministrja e Punëve të Brendshme të Republikës së Finlandës, Paivi Rasanen, vizituan Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) në Vushtrri, ku prezantuan projektin e binjakëzimit mes QKSPEZH-it dhe institucioneve të sigurisë së Finlandës dhe Estonisë.
Ky projekti i binjakëzimit, i cili është një projekt i Komisionit Evropian për QKSPEZH-in, është fituar nga Finlanda dhe Estonia dhe ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se ky projekt do të bëjë ngritjen e nivelin e arsimit në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, ku përveç  shërbimeve bazike, të specializuara dhe të avancuara, do të ketë ngritje të nivelit bachelor edhe për sigurinë publike.
“Unë besoj në stafin po ashtu edhe në përkrahjen që kemi nga Komisioni Evropian, OSBE-ja, ICITAP-i dhe të tjera që gjithnjë kanë qenë bashkë me ne, se do t’ia dalim dhe kjo do të jetë një Qendër regjionale jo vetëm  për nivel të Kosovës por edhe për rajonet tjera”, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa ministrja e Punëve të Brendshme të Republikës së Finlandës, Paivi Rasanen tha se projekti i binjakëzimit i fituar nga Finlanda dhe Estonia është interes i Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit, ku është e përfshirë edhe Republika e Kosovës.
“Ky rast është i shkëlqyer për shtetin e Kosovës dhe tash është koha juaja që t’i realizoni projektet e BE-së. Besoj se ju do t’i mirëpritni ekspertët tanë që të bashkëpunoni në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, ku do të përmirësohet arsimimi për pjesëtarët e sigurisë publike”, tha ministrja Paivi Rasanen.
Kryeshefi ekzekutiv i QKSPEZH-it, Ismail Smakiqi, tha se kjo Qendër po vazhdon me reformimin e saj, duke iniciuar procedurat rreth hartimit të akteve nënligjore në përputhje me Ligjin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, me objektiv të qartë për akreditimin e Akademisë në përputhje me planin zhvillimor strategjik për tri vitet e ardhshme, duke përfshirë këtu ristrukturimin e brendshëm organizativ, anëtarësimin e Akademisë në organizatat ndërkombëtare etj.