Kryeshefi Ekzekutiv Ismail Smakiqi ka udhëtuar në një vizitë zyrtare në Shqipëri

16.11.2011

Vushtrri, 16 nëntor 2011- Kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH), Ismail Smakiqi i shoqëruar nga drejtoret e Departamenteve Halim Shala, Dukagjin Dinaj, dhe Avni Istrefi, vizituan sot Qendrën për Formimin e Policisë në Tiranë ku u pritën nga drejtuesi  i Qendrës Hamdi Fjora, me bashkëpunëtorë.
Gjatë këtij takim Kryeshefi Smakiqi u informua nga homologu i tij në Tiranë me zhvillimet aktuale në këtë institucion.
Udhëheqësit e Institucioneve të cilat fushveprimtaritë e tyre i kanë të ngjashme, u pajtuan në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe zgjerimin e këmbimit të përvojave edhe në fusha të reja, në përputhje më zhvillimet regjionale dhe globale.
Fjora njoftoi mysafiret nga Kosova lidhur me projektet e Komisionit Evropian, të cilat do të fillojnë së shpejti të realizohen në hapësirat e QFP-së në Tiranë, e që kanë të bëjnë me ndërtimin e kapaciteteve të reja të objekteve hoteliere për nevojat e kësaj qendre.
Smakiqi e njoftoi drejtorin Fjora për aprovimin e Ligjit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, dhe për fillimin e implementimit të këtij ligji, i cili paraqet cilësi të re në jetën e këtij institucioni. Ligji pritet të hyjë në fuqi këtyre ditëve dhe besohet të ndikojë në ngritjen e cilësisë së trajnimeve, dhe njëkohësisht hapë perspektivë për fillimin e studimeve nga fusha e sigurisë publike.
Udhëheqësit e këtyre dy institucioneve, në ditët në vijim, pritet të bëjnë vizitë në Podgoricë, në një takim të përbashkët me homologun nga Mali i Zi, në kuadër të bashkëpunimeve rajonale.