Bordi i Akademisë mbajti takimin e tij të radhës

30.06.2020



Vushtrri, 29 qershor 2020 – Vazhdimi i trajnimit profesional "Polic i ri" online përmes platformës së mësimit në distance E-trajnimi, do të filloi ditën e hënë, me datën 06.07.2020,  kështu u morë vendim në mbledhjen e Bordit që u mbajt sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. 



Në këtë takim  morën pjesë anëtarët e Bordit të AKSP-së, gjegjësisht udhëheqësit e Agjencive të Sigurisë Publike;  Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi – Kryesues i Bordit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, Drejtor i Përgjithshëm  i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Ud/Drejtori i Përgjithshëm i Doganës se Kosovës Ibrahim Xhaka, Ud/ i Kryeshefit Ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Exhevit Zuka, Drejtori i Drejtorisë të Administratës në Shërbimit Sprovues të Kosovës Arsim Tahiri.

Në takim morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Sigurisë Bejtush Gashi, Drejtori i  Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Edward T. Anderson, zyrtarja e lartë nga kjo organizatë Shpresa Muharremi si dhe Drejtorët e Departamenteve të AKSP-së dhe ASP-ve.


Pas aprovimit të rendit të ditës dhe procesverbaleve të takimit të 30-të të  Bordit të AKSP-së,  Drejtori i Përgjithshme i Akademisë  Ismail Smakiqi i njoftoi anëtaret e  Bordit  për aktivitetet dhe veprimet e ndërmarra të AKSP-së gjatë periudhës së pandemisë (covid 19).

Drejtori Smakiqi tha se prezantimi i raportit përmbledhës të aktiviteteve dhe veprimeve të ndërmarra të AKSP-së gjatë periudhës së pandemisë (covid 19), Udhëheqja e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike e ka bërë për disa arsye:

“Për raportim, njoftim dhe informim institucioneve përgjegjëse, hisedarëve dhe partnerëve të AKSP-së, Krijimin e një dosje të veçantë për rrethana të veçanta dhe të rralla, siç është pandemia (pandemia është dukuri globale e cila sipas njohurive është shfaqur një here në shekull; në vitet 1720,1820,1920 dhe tani në vitin 2020) si dhe për ofrimin si dëshmi të aktiviteteve dhe veprimeve të ndërmarra të AKSP-së gjatë periudhës së pandemisë, institucioneve vlerësuese  të cilat akreditojnë Akademinë; Agjencia e Akreditimit e Kosovës, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (IADLEST)”, tha Smakiqi.


Kliko këtu për të gjetur: RAPORT I AKTIVITETEVE DHE VEPRIMEVE TË NDËRMARRA TË AKSP-së GJATË PERIUDHËS SË PANDEMISë (COVID 19)


Në vazhdim Bordi aprovoi “Planin vjetor të punës së Bordit për vitin 2020”. Siç dihet, gjatë vitit 2020 Akademia dhe Agjencitë e Sigurisë Publike do të përgatiten për ri akreditimin vendor nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe ri-akreditimit ndërkombëtar nga IADLEST (SHBA) i cili do të ndodhë në vitin 2021.

Për këtë qëllim në plan të punës të Bordit të AKSP-së, ndër të tjera u përfshinë edhe këto aktivitete: Mbështetja e Bordit të AKSP-së në implementimin e rekomandimeve të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe IADSLES-it, Rishikimi i standardeve të profesionit për Agjencitë e Sigurisë Publike me qëllim të ri-validimit (duke përfshirë themelimin e grupit punues për rishikimin e standardeve të profesionit për Agjencitë e Sigurisë Publike), Rishikimi i kurikulave të trajnimeve profesionale për Agjencitë e Sigurisë Publike me qëllim të ri-validimit dhe ri-akreditimit.

Në këtë takim u diskutua edhe orientimet strategjike të agjencive të sigurisë publike për nevojat e tyre në ngritjen profesionale të zyrtarëve të saj përmes arsimit të lartë, gjegjësisht procesi i ardhshëm i ri akreditimit të Programit Studimor Bachelor Siguria Publike.


Në vazhdim Drejtori Smakiqi njoftoi Bordin e AKSP-së, me aktivitetet të ndërmarra nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, lidhur me vazhdimin e realizimit të trajnimit profesional "Polic i ri" online përmes platformës së mësimit në distancë. E-trajnimi, do të filloi ditën e Hënë, me datën 06.07.2020.

“Vazhdimi i trajnimit është fryt i bashkëpunimit të ngushtë të përgjegjëseve të trajnimeve të Policisë së Kosovës dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike si dhe Divizionit të Teknologjisë Informative e cila ka aktivizuar sistemit gjegjësisht platformën MOODLE, i cili përdoret në pjesën dërmuese të institucioneve të ngjashme ndërkombëtare për mësim online”, tha drejtori Smakiqi


Bordi në fund të takimit aprovoi kuotat për Institucionet e Sigurisë Publike në studimet themelore bachelor për vitin akademik 2020-2021 në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi.