Në AKSP u mbajt seminari i dukshmërisë për Projektin e Binjakëzimit

19.09.2012

Vushtrri, 19 shtator 2012– Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot u mbajt seminari i dukshmërisë për Projektin e Binjakëzimit i cili ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë dhe rendit publik.
 Të pranishëm në seminar ishin, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, Drejtori i Akademisë Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni si dhe zyrtarë të lartë vendor e ndërkombëtarë.
Përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtarë të cilit ishin të pranishëm në këtë seminar vlerësuan lartë këtë projekt duke thënë se Akademia është shembull për ngritjen e nivelit të lartë të arsimit në fushën e sigurisë publike.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi në emër të Qeverisë së Kosovës e përgëzoj Akademinë dhe Komisionin Evropian për punën e bërë që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve në arsimimin për fushën e sigurisë. “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e kapaciteteve për rend dhe ligj, e përkushtuar që të ngrit kapacitet njerëzore e që për këtë është shembull Akademia dhe idea e qeverisë është që ta mbështet Akademinë në arritjen e vizionit”, tha Kuçi.
Ai tha se Akademia është institucion i vetëm në Kosovë që i plotëson kushtet  për arsimin e lartë në fushën e sigurisë publike. Zv/kryeministri Kuçi tha se Qeveria e Kosovës e mbështet në plotëni që Akademia e Kosovës për Siguri Publike të akreditohet. Gjithashtu ai vlerësoj se Kosova ka kapacitet që ta ndërtojë një Akademi me standarde ndërkombëtare.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike, është model për funksionimin  dhe mandatin që ka sa i përket sundimit të rendit dhe ligjit.
Ministri Rexhepi i cili vlerësoj lartë projektin e binjakëzimit tha se Akademia është njëri ndër institucionet më të rëndësishme në vend. Ai më këtë rast ka falënderuar Komisionin Evropian si dhe shtet që kanë fituar këtë projekt Finlandën dhe Estonin për punën dhe përkrahjen e tyre. Ministri Rexhepi tha se Akademia do të jetë shembull i trajnimeve. Ai tha se Akademia do ta ketë përkrahjen e plotë në procesin e akreditimit.
Ndërsa  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi duke folur rreth projektit të binjakëzimit vlerësoj se ky projekt është një favor i mirë për AKSP-në.
“Akademia e Kosovës për Siguri Publike, vlerësohet lartë nga vendet e regjionit dhe me gjerë për shkak të kompetencave të saj ligjore, trajnimin dhe shkollimin e zbatuesve të ligjit, gjegjësisht Akademia cilësohet si i vetmi institucion kombëtare i aftësimit të zbatuesve të ligjit”, tha Smakiqi. Ai tha se projekti i binjakëzimit është një projekt mjaftë i rëndësishëm, ndërsa Akademia siç tha ai është vend i duhur për ngritjen e cilësisë së arsimit të zbatueseve të ligjit.
Drejtori Smakiqi tha se projekti në fjalë e bënë përmirësimin e trajnimit bazik, krijon programin e ri në fushën e sigurisë publike si dhe zhvillimin e kurrikulës për arsimin e lartë në nivel bachelor në pajtim me procesin e Bolonjes.