Akademia e Kosovës për Siguri Publike

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është themeluar në shtator të viti 1999. Fillimisht është quajtur Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës, më pas nga 2006 është quajtur Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim. Me 26 mars të vitit 2008, me hyrjen në fuqi të Urdhëresës Administrative të UNMIK-ut nr .2008/3, Akademia e Kosovës për Siguri Publike funksionon si agjenci ekzekutive e Ministrisë së Punëve të Brendshme.


Ndërsa  që nga dhjetori i vitit 2011 me miratimin e ligjit, bartë emrin Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP). Sipas këtij Ligji, AKSP është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave  si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike. Akademia ofron trajnime dhe arsim të lartë për të gjitha institucionet e sigurisë publike, por pa u kufizuar vetëm në:  Policinë e Kosovës (PK), Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK), Doganën e Kosovës (DK), Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Edukimi i pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë publike është një ndër komponentët kyçe të zhvillimit dhe të krijimit të një sistemi modern dhe të qëndrueshëm të sigurisë në Kosovë. Këto institucione janë të përgatitura në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve ndërkombëtare të pranueshme që t’u bëjnë ballë sfidave dhe kërcënimeve. 


Si rezultat i resurseve dhe mjedisit të saj, Akademia është bërë vendqëndrim primar i trajnimit dhe arsimit të lartë për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit.


Brenda vitit në AKSP trajnohen nga 12.000 deri në 13.000  mijë zyrtarë të sigurisë publike në trajnime bazë, të avancuara dhe të specializuara.


AKSP posedon 28 (njëzet e tetë) klasë mësimi dhe ka hapësirë banuese për 711 (shtatëqind e njëmbëdhjetë) studentë; Konviktet janë të ndara për meshkuj dhe femra.


Në objektin kryesor dhe ato përcjellëse gjenden zyrat  mbështetëse administrative, qendra mësimore  “Steve Bennett”,  dy salla për gjimnastikë, një dhomë për ushtrime trupore, armëtorja, tri depo, shërbimi mjekësor, mensa, lavanderia dhe berberi


Misioni, vizioni, vlerat dhe objektivat strategjike

 

Në dhjetor 2013, Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka miratuar Strategjinë Zhvillimore dhe Planin e Veprimit të saj për vitet 2014 – 2018. Pjesë e këtij dokumenti janë edhe misioni, vizioni, vlerat dhe objektivat strategjike si më poshtë. 


MISIONI 

Akademia ofron shërbime të cilësisë së lartë të arsimit, hulumtimit dhe zhvillimit për agjencitë e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.


VIZIONI 

Në vitin 2020, Akademia do të njihet nga palët kombëtare dhe ndërkombëtare të interesit si institucion parësor për të gjitha nivelet e arsimit në sektorët e rendit dhe sigurisë publike. Anëtarët e personelit të saj do të shfaqin nivel të lartë të profesionalizmit dhe do të jenë tërësisht të përkushtuar për vlerat organizative të AKSP-së dhe për parimin e përmirësimit të vazhdueshëm 


VLERAT

Ndershmëria

Transparenca

Përgjegjësia e demonstruar (llogaridhënia)

Etika profesionale


OBJEKTIVAT STRATEGJIKE

 

 Rrjet i përhershëm bashkëpunimi me palët kryesore të interesit 

 Zhvillimi i kurrikulave për të gjitha nivelet që ofrohen në AKSP

 Personel i cili në kuptimin e kompetencës dhe kapacitetit i plotëson kërkesat e arsimimit në AKSP  

 Organizimi i brendshëm dhe infrastruktura i plotësojnë nevojat për zbatimin e misionit të AKSP-së 

 Sistemi i sigurimit të cilësisë me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm

 Funksionalizmi i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim në AKSP