Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike studentët ndjekin ligjëratat online

28.04.2020

 

Vushtrri, 28 prill 2020 – Sot Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Zoti Ismail Smakiqi, mbajti takim online përmes SKYPE me mësimdhënësit e Fakultetit të Sigurisë Publike, lidhur me vazhdimin e studimeve, gjegjësisht mbajtjen e ligjëratave online në këtë Fakultet.

 

Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, njoftoi drejtorin Smakiqi për rrjedhën e procesit mësimor në kushtet e krijuara, pas unifikimit të platformës Google Meet dhe Google Classroom për ndjekjen e mësimit online.

 

Është e rëndësishme që në proces mësimor janë kyç edhe mësimdhënësit e angazhuar  nga Agjencitë e Sigurisë Publike të cilët i mbajnë lëndët profesionale si dhe profesor të angazhuar nga Universiteti i Prishtinës, të cilët mbajnë leksione për studentët e FSP.

 

Po ashtu janë duke u zhvilluar edhe modulet e punës praktike (internshipit) të studentëve të bashkërenditura nga Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi si dhe Koordinatorit për Mësim Praktik të AKSP-së dhe Koordinatoreve të Mentorëve të Agjencive të Sigurisë Publike.

 

Studentët e Fakultetit janë duke marr pjesë në numër të konsiderueshëm aktivisht në ligjërata online. Duke mare parasysh që studentë e Fakultetit të Sigurisë Publike, në të njëjtën kohë jeni punëtor të punësuar në Institucionet e Sigurisë Publike dhe jeni mjaftë të angazhuar në luftë të cilën po e bëjnë Institucionet e vendit tonë kundër “Covid 19”, studentët kanë mundësi përveç online të përcjellin ligjëratat edhe në kohë më të përshtatshme për ta, meqenëse ligjëratat e mësimdhënëseve incizohen dhe mund të ndjekin në çfarëdo kohe.

 

Dekan Gashi së bashku me kolegët mësidhënës të Fakultetit diskutuan edhe për procesin e provimeve të cilit duhet të iu nënshtrohen studentët, gjegjësisht ndërtimit të notës për studentët. Po ashtu në ditët në vijim Fakulteti do të organizoi edhe mbrojtjen e temave të diplomimit të studentëve, në formën online.

 

Drejtori Smakiqi falënderoi mësimdhënësit dhe studentët të cilët po bëjnë të pamundurën që mos të ngecin studimet në këtë Fakultet.