U publikua raporti hulumtues me temën “Ndikimi i ambientit të burgut për të burgosurit meshkuj në burgun e Dubravës dhe të burgosurave femra në burgun e Lipjanit”

20.12.2017

Vushtrri, 20 dhjetor 2017 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  (AKSP)  sot u publiku raporti  hulumtues me temën  “Të kuptuarit e ndikimit të ambientit të burgut për të burgosurit meshkuj që punojnë në burgun e Dubravës dhe të burgosurat femra në burgun e Lipjanit” , i cili është bërë nga  Ferid Azemi  profesor  në Fakultetin e Sigurisë Publike  dhe Nebih Halili nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Qëllimi i hulumtimit ishte që të kuptohet jeta e të burgosurve në burgun e Dubravës dhe në burgun e Lipjanit.  

 

Në këtë prezantim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues Sokol Zogaj, Drejtori i Përgjithshëm i  Policisë së Burgjeve të Shqipërisë  Nazmi Demirxhi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, përfaqësues nga Avokati i Popullit, Policia e  Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, OSBE-së,  EULEX,  UNICEF, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ),  Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) etj. 

 

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi duke i përshëndetur pjesëmarrësit vlerësoi se falë angazhimit dhe bashkëpunimit të ngushtë Akademia dhe Fakulteti i Sigurisë Publike është duke funksionuar në mënyrë më të mirë të mundshme. 


“Sot është një ditë e veçantë pasi që ka filluar përmbushja e fushës së hulumtimit, njëra nga përgjegjësitë e përcaktuara në ligjin e  Akademisë e cila përkufizohet në nenin 13, pika 1.3. ku thuhet se ‘Akademia funksionon si institucion kërkimor në sferën e sigurisë publike, por pa u kufizuar në hulumtime në fushën e zhvillimit të trajnimeve dhe arsimit të lartë për siguri publike’”, tha Smakiqi. 


Drejtori Smakiqi tha se Akademia  në bashkëpunim me agjencionet e sigurisë publike po përmbush përgjegjësitë në shkëmbimin e rregullave të informacioneve të tyre shkencore në fushën e  sigurisë duke mos u kufizuar vetëm në hulumtime, botime, revista periodike, kongrese, seminare dhe konferenca.



Duke përgëzuar profesorët e Fakultetit të Sigurisë Publike për këtë hulumtim drejtori Smakiqi tha se hulumtimet shkencore në fushën e sigurisë janë kusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të programeve studimore në Akademi duke filluar nga ato bazike profesionale  deri tek programet e  masterit dhe të doktorates që pritet të hapet se shpejti. 


“Hulumtimet do të na shërbejnë për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të cilat i ofrojnë të punësuarit në institucionet e zbatimit të ligjit”, tha Smakiqi.


Po ashtu drejtori Smakiqi vlerësoi se me publikimin e këtij hulumtimi Akademia po ashtu po i afrohet momentit të funksionalizimit të “Institutit të Hulumtimit dhe Zhvillimit”, i cili është i paraparë me rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. 


Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi para të pranishmëve  ka folur rreth funksionimit të Fakulteti e më pastaj edhe për rolin e Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim. 


“Detyra dhe përgjegjësitë e Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim janë; kryerja dhe menaxhimi i hulumtimit shkencor dhe mbështetja e personelit akademik në aktivitetet e tyre kërkimore, mbështetja e personelit akademik dhe studentëve lidhur me hulumtimet e metodologjinë e hulumtimit shkencor, udhëheqja e procesit të hartimit të planit zhvillimor të Akademisë dhe të mbështetur në njësitë e tjera në këtë proces, hartimi i projekt propozimeve dhe aplikimi për financim nga jashtë për projektet e hulumtimit dhe zhvillimit në fushën e sigurisë, bashkëpunimi me institucionet e tjera  të hulumtimit dhe zhvillimit të arsimit të lartë dhe agjencioneve të sigurisë publike”, tha Gashi duke shtuar se instituti ka për mision të nxjerrë rezultate shkencore të cilat krijojnë mundësinë e kuptimit më të mirë të çështjeve të sigurisë publike si dhe avancimin e debatit për siguri publike, shkencave shoqërore dhe humane. 

 

Dekani Gashi duke folur rreth punës dhe angazhimit të mësimdhënësve të Fakultetit të Sigurisë Publike vlerësoi se viti 2017 po përmbyllet me sukses.

“Në esencë veprimtaria kërkimore shkencore është aktivitet për zgjidhjen e problemeve teorike dhe praktike si dhe arritjen  deri të njohuritë e reja në lëminë  përkatëse. Pra hulumtimin mund ta përkufizojmë si proces për zgjidhjen e problemeve njohëse dhe praktike i cili ka faza të caktuara si faza përgatitore, dizajnimi, zhvillimi i instrumenteve realizimi i hulumtimit përpunimi dhe analiza e të dhënave etj”, tha Gashi  

 

Kurse u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues Sokol Zogaj duke e vlerësuar pozitivisht këtë hulumtim tha se me hulumtime të  tilla duhet të vazhdohet tutje.  

“Ky është një kontribut edhe një nismë drejtë hulumtimit ku është mirë që edhe të tjerët të vazhdojnë. Unë  konsideroj që është një punim i mirë edhe pse mendoj që në të ardhmen  do të ketë punime edhe mëe të mira edhe  me përmbajtësore”, tha Zogaj 

 

Ndërkaq, Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,  Behxhet Shala i përgëzojë mësimdhënësit për përpjekjet  tyre për ta bërë një hulumtim të tillë ndërkohë që dha vërejtje që sipas tij hulumtimi nuk është i kompletuar.  “Unë iu uroj për përpjekjet e juaja për ta bërë një hulumtim, ky hulumtim ka nevojë ende të punohet dhe  të kompletohet”, u shpreh Shala.  

 

Hulumtimin e vlerësoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i  Policisë së Burgjeve të Shqipërisë  Nazmi Demirxhi. Demirxhi duke dhënë komente rreth përmbajtjes së hulumtimit  përgëzoi  Fakultetin e Sigurisë Publike dhe profesorët  për këtë hulumtim. 

 

Rreth raportit hulumtues për jetën e të burgosurve në burgjet e Kosovës  komente dhanë edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare Vesë Kelmendi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). 

 

Vlerësime dhe kontribut në prezantimin e këtij hulumtimi dhanë edhe studentet e Fakultetit të Sigurisë Publike.

 

Sipas rekomandimeve të dhëna në hulumtim  thuhet se  implementimi dhe investimi i programeve rehabilituese(psikoterapi, terapi  grupore etj), funksionimi i një grupi të trajnuar për klasifikimin e duhur për personat e pranuar në burgun e Dubrovës, ofrimi adekuat apo i veçantë shëndetësor për kategoritë e veçanta  te të burgosurve, adresimi i çështjes se ekzistimit të subkulturve në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, trajnimi i vazhdueshëm në ngritjen profesionale dhe etikës profesionale të stafit korrektues, angazhimi shtesë i zyrtarëve të duhur socialë të cilët punojnë seriozisht me të burgosur dhe investim në vetëdijësimin e të burgosurve dhe ofrimi i mundësive për të burgosurit në jetën post penale.