Mbahet seminari i komponentës së tretë të Projektit të Binjakëzimit

15.11.2016

Vushtrri, 15 Nëntor 2016 – Në Akademinë e Kosovës  për Siguri Publike (AKSP), po mbahet seminari i komponentës së tretë të  Projektit të Binjakëzimit, i cili ka për qellim përkrahjen  e mëtejme të arsimit në fushën e sigurisë publike në Kosovë. Qëllimi i kësaj komponente është të kontribuojë që Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim i Akademisë të funksionalizohet plotësisht në interesin e të gjitha agjencive të sigurisë publike. 


Në hapjen e seminarit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, Ambasadorja e Finlandës në Kosovë  Anne Huhtamaki, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike të MPB-se, Mensur Hoti, përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë Rafael Nievergelt, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore nga Universiteti i Mitrovicës Izet Zeqiri dhe Universiteti i Prizrenit Malush Mjaku, përfaqësuesja e ICITAP-it Drita Pereziq, përfaqësuesja e OSBE-së, Shpresa Muharremi,  përfaqësuesja e Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë Arife Muji, përfaqësues të Agjencive të Sigurisë Publike, mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë pranë Akademisë, menaxhmenti i lartë i Akademisë si dhe ekspertët nga Finlanda dhe Estonia.


Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi në hapjen e këtij seminari foli rreth ecurisë së projektit të binjakëzimit. Ai vlerësoi lartë punën e bërë deri më tani duke vënë në pah edhe sfidat të cilat do të përcillen projektin deri në finalizim.


“Në këtë seminar po fillojnë aktivitetet e komponentës së tretë të Projektit të Binjakëzimit ‘Përkrahja e mëtejshme e arsimit në sigurinë publike në Kosovë’, me titull, ‘Kontributi për Institutin e Hulumtimit dhe Zhvillimit të Akademisë që të bëhet plotësisht funksional për përfitim të gjitha agjencive të sigurisë publike në Kosovë”, u shpreh Smakiqi duke thënë se më qëllim të rritjes së aftësisë dhe kompetencës profesionale në fushën e sigurisë publike është arritur një pajtueshmëri se nevojitet më shumë njohuri se sa vetëm aftësim për punë specifike, posaçërisht në pozitat menaxheriale të agjencive. 

 

Smakiqi tha se zhvillimeve të mëtutjeshme në Akademi dhe në fushën e Sigurisë Publike i parapriu aprovimi i ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku përmes së cilit Akademia përcaktohet institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, gjegjësisht zhvillimin e kapaciteteve për të gjitha institucionet e sigurisë publike.


Duke folur rreth rëndësisë së projektit Smakiqi tha se projekti i parë dhe dytë i binjakëzimit janë përkrahje e Akademisë dhe Agjencive të Sigurisë Publike në realizimin e vizionit që “në vitin 2020 Akademia do të njihet nga palët e interesit të saj kombëtarë dhe ndërkombëtarë si një institucion parësor për të gjitha nivelet e arsimit në fushën e rendit dhe sigurisë publike”.


Ndërsa duke folur rreth institutit për Hulumtim dhe Zhvillimit, Smakiqi theksoi rëndësinë që ka ky institut për Akademinë, Agjencitë e Sigurisë Publike, Qeverinë e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë si dhe  për të gjithë ekspertët e fushave të sigurisë jo vetën në Kosovë po edhe më gjere. Smakiqi tha se Akademia për një kohë të gjatë ofron dhe mban trajnime të vazhdueshme profesionale për zbatuesit e ligjit të punësuar në Institucionet e Sigurisë Publike, duke zhvilluar trajnime në fushën e sigurisë publike të nivelit: bazik, të avancuar, të specializuar, si dhe të lidershipit dhe menaxhmentit.


Në hapjen e seminarit foli edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki e cila e cilësoj si shumë të rëndësishëm projektin e dytë të binjakëzimit dhe krijimin e institutit për hulumtim dhe zhvillim.  “Policia e Kosovës është shumë e suksesshme ka bërë një rrugë të gjatë dhe tani ajo është e trajnuar dhe e pajisur shumë mirë, populli i Kosovës i beson, është shumë e rëndësishme dhe sukses i mirë, kjo është që ne dëshirojmë për  vazhduar në ngritët kapacitet të institucioneve të sigurisë publike”, u shpreh Huhtamaki. Ambasadorja Huhtamaki tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Finlandës gjithmonë ka qenë i mirë në shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e  eksperiencave. Huhtamaki vlerësoi se krijimi i një  instituti për zhvillim dhe hulumtim është shumë i rëndësishëm për institucionet e sigurisë publike në Kosovë.


Seminarin e përshëndeti edhe Mensur Hoti Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike të MPB, i cili falënderoi Bashkimin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme të MPB-së dhe Agjencive të saja si dhe partnerët e përhershëm ICITAP dhe OSBE. Hoti tha se Ministria e Punëve të Brendshme është e lumtur me progresin e arritur në Akademi gjatë implementimit të Projekteve të Bashkimit Evropian dhe do të vazhdoi të përkrah Akademinë dhe Agjencitë e Sigurisë Publike në synimin e përbashkët të Sigurisë Publike në vendin tonë.


Ndërkaq Rafael Nievergelt përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është shprehur i kënaqur për pjesëmarrjen në hapjen e seminarit të projektit të dytë të binjakëzimit. 

Nievergelt tha se arsimimi në sigurinë publike është fuqi kruciale dhe në institucionet tjera që kanë të bëjnë më zbatimin e ligjit, për arsye se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë në forcimin e ligjit dhe sigurisë.  “Institut i hulumtimit dhe zhvillimit ndihmon në ngritjen e eksperiencave  të gjithë pjesëtarëve të agjencive të sigurisë publike”, tha Nievergelt duke falënderuar partnerët për rezultatet e arritura.


Seminarin e ka përshëndetur edhe prorektori për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore nga Universiteti i Mitrovicës Izet Zeqiri  dhe Universiteti i Prizrenit Malush Mjaku.

  

Seminari do të zgjatë tri ditë radhazi nga data 15, 16 dhe 17 nëntor, ku do të bëhen prezantime nga ekspertet e projektit të binjakëzimit.