Komesari i Shërbimit Korrektues të Kosovë e vizitoi QKSPEZH-në

10.09.2009

Vushtrri, 10 shtator 2009 – U.D. e Kryeshefit Ekzekutiv të Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, znj. Taibe Canolli, sot, në ora 10:30, priti për një vizitë zyrtare Komesarin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, z.Resmi Hoxha. Qëllimi i vizitës është thellimi i bashkëpunimit në mes të Qendrës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim dhe Shërbimit Korrektues, në fushën e edukimit dhe trajnimit të zyrtarëve të këtij institucioni.

Në takim u diskutua për planet afatgjate të programeve të edukimit dhe zhvillimit të zyrtarëve të sigurisë publike, e në veçanti për përkrahjen në trajnimin e oficerëve korrektues. Z.Hoxha njoftoi se në kuadër të SHKK-së fuksionon Njësia e Transportit që bënë përcjelljen e të burgosurve në Qendra Korrektuese. Ai kërkoi mbështetje nga QKSPEZH-i, për trajnim me armë të gjata të oficerëve korrektues që sigurojnë perimetrin e jashtëm të institucioneve korrektuese dhe për Njësitin e Transportit për Përcjellje të Burgosurve. Çështje tjetër që u diskutua në takim, ishte edhe mbështjetja me municion përgjatë trajnimit.
Znj.Canolli premtoi se “përkrahja e Shërbimit Korrektues në zbatimin e planit të trajnimeve, nuk do të mungojë as në të ardhmen”.  Ajo tha se “QKSPEZH përkujdeset të zbatojë me përpikshmëri misionin e saj për mbështetje edukative dhe teknike për të gjitha Agjensionet e zbatimit të ligjit”.

Si rezultat i misionit të përafërt dhe synimit të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, Shërbimi Korrektues i Kosovës i zhvillon trajnimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe Agjencionet tjera të Sigursë Publike. Në vecanti trajnimet e avancuara vazhdojnë të mbeten vizion i përbashkët i këtyre agjencioneve.

Nën ombrellën e QKSPEZH-së funksionon Akademia e Shërbimit Korrektues të Kosovës, e cila nën udhëheqjen e kordinatorit të trajnimeve dhe stafit korrektues, përgatitë planin strategjik të trajnimeve dhe menaxhon trajnimet e zyrtarëve korrektues, sipas nevojave që parashihen me planin strategjik të trajnimit, gjithmonë në koordinim me QKSPEZH-in.
Shërbimi Korrektues është një ndër katër Agjencionet e Sigurisë Publike që ndajnë hapësirën e trajnimit bazik dhe të avancuar në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, në Vushtrri.