Ambasada Gjermane dhuroi donacion për Qendrën Kosovare për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim dhe për Agjencionet e Sigurisë Publike

20.07.2009

Vushtrri, 20 Korrik 2009 – Sot në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, Ambasada Gjermane në bashkëpunim me OSBE-në, solemnisht dhuruan donacionin me vlerë prej 50 mijë euro. Donacioni përmbante libra që kryesisht mbulojnë sferën e sigurisë (Kriminalistikë, Planifikim i Emergjencave, Policimi në Komunitet, Menaxhimi në Polici, Shkathtësitë e Menaxhimit etj.), aparat mbushës për aparatet zjarrfikëse, kompresor për mbushjen e bombolave me oksigjen, kompasa matës (busulla) për Policinë Kufitare si dhe disa pajisje për vëzhgim në errësirë. 

Në ceremoni ishin të pranishëm ambasadori i Gjermanisë, z.Hans-Dieter Steinbach, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z.Fatmir Xhelili, u.d. e Kryeshefit Ekzekutiv të Qendrës për Siguri Publike, znj. Taibe Canolli, drejtori i Policisë së kosovëz, z.Sheremet Ahmeti, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z.Bajram Mulaku, si dhe zyrtarë tjerë të lartë nga Ambasada e Gjermanisë, Minsitria e Punëve të Brendshme, OSBE-ja,  Policia e Kosovës, Departamenti për Menaxhimin e Emergjencave dhe nga Komuna e Vushtrrisë.

Hapjen e ceremonisë e bëri z.Heins Schneider – shef i  sektorit për Zhvillimin e Sektoreve të Sigurisë në Kosovë, i cili në emër të Ambasadës Gjermane dhe OSBE-së përshëndeti të pranishmit. Ai tha se “rëndësia e këtij donacioni është e veçantë, sepse përveç që do t’i ndihmojë agjencionet e zbatimit të ligjit për trajnim, kjo do t’i shërbejë në veçanti Qendrës për Sigui Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) në arenën e akreditimit dhe certifikimit ndërkombëtar”. 

Në fjalën e tij, ambasadori i Gjermanisë, z.Hans-Dieter Steinbach vlerësoi lartë bashkëpunimin mes OSBE-së dhe QKSPEZH-it, në sferën e ngritjes së nivelit të trajnimit të zyrtarëve të Agjencioneve të Sigurisë Publike. Ai tha se “këto pajisje do të mundësojnë një trajnim jo vetëm teorik, por edhe praktik. Mbështetja për Policinë Kufitare duhet të forcohet jo vetëm për të ngritur sigurinë në Kosovë, por edhe që të ndihmojë procesin për liberalizimin e vizave”, tha ndër të tjera ambasadori i Gjermanisë, z. Steinbach.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z.Fatmir Xhelili tha se “  Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim, do të pajiset me mjete të sofistikuara teknike duke ngritur kështu kapacitetet e saj për trajnimin dhe profesionalizimin e zyrtarëve të Agjencioneve që merren em zbatimin e ligjit”. 
Në vazhdim z.Xhelili falenderoi Ambasadën e Gjermanisë për “përkrahjen e vazhdueshme që ofron për demokratizimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës. Në këtë frymë është edhe mbështetja që po i ofrohet Qendrës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim”, tha në vazhdim z.Xhelili.
Ai më tej tha se “sukseset tona të deritanishme i atribohen edhe partnerëve tanë”.
Zëvendësministri Xhelili siguroi që Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar me të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat e saj, me theks të veçantë Policinë e Kosovës, që të jenë në nivel të detyrës dhe të sigurojnë sundimin e ligjit.

Ceremoninë e përshëndeti edhe Ambasadori i OSBE-së, z.Almhofer, i cili vlerësoi lartë rëndësinë e Qendrës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim.
“Kjo Qendër luan një rol të rëndësishëm dhe e dimë se përfundimi i gjithë kësaj është siguria në Kosovë. Gjatë 10 viteve është punuar shumë në QKSPEZH që të ngritet vazhdimisht cilësia e trajnimeve”, tha z.Almhofer.

Pas përmbylljes së ceremonisë, nga Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave u bë një demonstrim për mbushjen e bombolave me oksigjen. Ky  demonstrim u bë me pajisjen e dhuruar nga Ambasada e Gejrmanisë në Kosovë.