Drejtori Smakiqi priti në takim ambasadorin Gregoire

22.05.2012

Vushtrri, 22 maj 2012 – Ambasadori i Belgjikës në Kosovë, Pascal H.Gregoire sot vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Smakiqi, me bashkëpunëtor. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Institucioneve të Sigurisë Publike.
Drejtori Smakiqi e falënderoi ambasadorin  belg Gregoire për ndihmën e vazhdueshme që po japin Kosovës në të gjitha fushat, e posaçërisht në fushën e sigurisë.
Gjatë këtij takimi drejtori Smakiqi e njoftoi ambasadorin Gregoire, për të gjitha trajnimet që mbahen nga katër agjencionet e sigurisë publike në AKSP. Ambasadori është njoftuar edhe për projektet, të cilat priten të realizohen së shpejti, që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe akomoduese në akademi. Delegacioni u informua edhe për konceptin, vizionin, fazën e tranzicionit, akreditimit, legjislacionit, por edhe për sukseset dhe të arriturat e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Duke folur rreth trajnimeve  Smakiqi tha se qëllimi është që akademia të marrë karakter regjional në Evropën Juglindore për studime në fushën e sigurisë publike.
Ndërsa ambasadori Gregoire  e përgëzoi drejtorin Smakiqi për rezultatet e arritura dhe premtoi angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të zhvillimit të pjesëtarëve të sigurisë publike.