Në QSKPEZH brenda vitit 2010 janë trajnuar mbi 5.563 pjesëtarë të sigurisë publike

25.01.2011

Vushtrri, 21 janar 2011 - Në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH), i cili është institucioni më i lartë për trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë publike, gjatë vitit 2010 janë kryer shumë trajnime dhe shumë vizita. Vetëm brenda vitit 2010 janë trajnuar mbi 5.563 pjesëtarë të sigurisë publike. Janë mbajtur 310 trajnime nga katër agjencionet e sigurisë publike si Policia e Kosovës (PK), Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave (AME), Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) si dhe Dogana e Kosovës (DK).
Gjatë vitit që lamë pas, Qendra  ka ofruar trajnime me kualitet të lartë profesional me standarde ndërkombëtare si në trajnimet bazike të specializuara, avancuara dhe atë të lidershipit  për gjitha agjencionet e sigurisë publike në Kosovë. Kontribut të veçantë në realizimin e këtyre trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve të qendrës  kanë dhënë edhe dy partnerët kryesorë si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian(OSBE) dhe ICITAP. Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në Qendër janë trajnuar edhe pjesëtarë të sigurisë nga shtete fqinje si nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i zi.  Përpos trajnimeve, të cilat janë mbajtur për pjesëtarët e sigurisë publike, në QKSPEZH janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera siç janë Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara, garat ndërkombëtare të ping-pongut, trajnimi i vëzhguesve dhe komisionarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor,etj.
Si rezultat i resurseve dhe mjedisit të saj, QKSPEZH është bërë vendqëndrim primar i trajnimit për një fushë të gjerë të sigurisë publike dhe një degë e zbatimit të trajnimit.
Qendra e Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim  si agjencion ekzekutiv i Ministrisë së Punëve të Brendshme është institucion që ofron mbështetje teknike, administrative dhe edukative për të gjitha agjencionet e sigurisë publike.
Vizioni i qendrës është që edhe në të ardhmen të përgatisë dhe të aftësojë punonjës të mbajtjes së rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.