Në QKSPEZH filloi trajnim “Komanda dhe stafi policor”

30.08.2010

Vushtrri, 30 gusht  2010 – Në  kuadër e trajnimeve të shumta që po mbahen në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) sot filloi trajnimi “Komanda dhe stafi policor”. Ky trajnim i cili është projekt i ICITAP-it  e që po mbahet nga Universiteti Northerwestern ka për qëllim aftësimin e stafit komandues të Policisë së Kosovës në menaxhimin e punës së tyre. Në ceremoninë e hapjes së këtij trajnimi morën pjesë përfaqësuesit e Universiteti Northerwestern, ministri i Punëve të Brendshme, z.Bajram Rexhpi, drejtori i Policisë së Kosovës, z. Behar Selimi, Kryeshefi Ekzekutiv i QKSPEZH-it, z.Sheremet Ahmeti si dhe përfaqësues nga ICITAP-i.Trajnimin “Komanda dhe stafi policor” përveç Policisë së Kosovës do ta ndjekin  edhe oficerë të policisë së Republikës së Shqipërisë dhe policisë së Maqedonisë. Të pranishmit mbajtjen e këtij trajnimin e kanë vlerësuar shumë lart  i cili do të shërbej pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të agjencioneve të zbatimit të ligjit. Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), z.Bajram Rexhepi iu ka dëshiruar mirëseardhje në këtë trajnim oficerëve policor nga Shqipëria dhe Maqedonia. “Prania e tyre në këtë kurs është dëshmi se Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim po avancohet si institucion me shtrirje rajonale. Trajnimi i përbashkët i oficerëve policor nga vendet e rajonit do të mundësojë  thellimin e bashkëpunimit me qëllim të sigurimit të një ambienti të qetë, të sigurt dhe luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit”, tha Rexhepi. Ministri i MPB-së tha se janë dy gjëra që i bashkon vendet e rajonit; natyra e njëtje e problemeve  dhe qëllimi i përbashkët për t’u integruar në institucione euro-atlantike. “Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar po vazhdon me zhvillimin e politikave strategjike për Policinë e Kosovës”, tha Rexhepi. Ai tha se të gjitha raportet e mekanizmave ndërkombëtarë  vlerësojnë lart progresin e arritur në Policinë e Kosovës si një polici demokratike shumë etnike dhe e ndërtuar sipas vlerave dhe praktikave më të avancuara ndërkombëtare. Me këtë rast ministri Rexhepi ka falënderuar Qeverinë Amerikane për përkrahjen e  vazhdueshme që po i bënë Kosovës në demokratizimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të saj. Mbajtën e këtij trajnimi e ka vlerësuar lartë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi. Ai tha se ndjekja e këtij kursi stafit komandues të policisë do tu ndihmojë që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë sa më profesionale. “Ky program iu jep mundësi që ta realizoni sa më mirë rolin e udhëheqësit ku do që jeni. Ky program ju kujton se duke qene udhëheqës ju keni përgjegjësi jo vetëm për veti, por edhe ndaj të tjerëve”, tha Selimi.
Oficerëve të policës të cilët janë pjesëmarrës në këtë trajnim iu kanë dëshiruar sukses edhe ligjëruesit e këtij trajnimi. Trajnimi “Komanda dhe stafi policor” do të zgjatë dhjetë javë deri me datën 19.11.2010. Në këtë trajnim do të marrin pjesë 35 oficerë të policisë nga Kosova, Shqipëria dhe  Maqedonia.