Vushtrri, 17 prill 2025 - Sot, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) pati nderin që të mirëpresë në vizitë zyrtare Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, z. Tunç Angılı në ambientet e saj në Vushtrri. Ambasadori turk u prit nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, Shpend Shabani, dhe stafi drejtues i AKSP-së. Gjatë takimit, Ambasadorit iu prezentua misioni dhe vizioni i Akademisë, u njoftua për rolin, përgjegjësit dhe të arriturat e AKSP-së, duke nënvizuar rolin kyç të saj në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë publike në Republiken e Kosovës. Gjithashtu gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të Republikës së Turqisë, si dhe u theksua rëndësia e përkrahjes së vazhdueshme që Turqia ka dhënë për fushën e sigurisë në Kosovë.
Ambasadori Angılı falënderoi për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë e shtetit turk për të avancuar më tej bashkëpunimin me AKSP-në. Ai gjithashtu theksoi se mbështet themelimin e bashkëpunimit të AKSP-së me Akademinë Policore Turke.
Në përfundim të vizitës, Ambasadori vizitoi ambientet e Akademisë, përfshirë qendrën mësimore, sallat e mësimit, pajisjen moderne për simulim trajnimit me armë zjarri (FATS), ku u njoftua nga afër me mënyrën e punës dhe standardet që aplikohen në trajnimet profesionale të krahasueshme dhe të akredituara ndërkombëtarisht.
Vizita e Ambasadorit të Turqisë në AKSP vjen si konfirmim i marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve dhe dëshirës për të thelluar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe trajnimit për sigurinë publike.