Republika e Kosovës Ministria e Punëve të Brendshme

Profesorë të FSP-së morën pjesë në konferencën e V-të shkencore ndërkombëtare të mbajtur në Tiranë

11.02.2020Vushtrri, shkurt 2020 – Përfaqësuesit e Fakultetit të Sigurisë Publike i cili është në kuadër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike morën pjesë në konferencën e V-të ndërkombëtare “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare” të mbajtur në Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë në Tiranë. Në këtë konferencë e cila u organizua nga Akademia e Sigurisë e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Universitetin e Romës “Tor Vergata”, Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, departamentin e shkencave politike në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT-së, Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Luarasi”, Tiranë; e mbështetur dhe Prezencë të OSBE-së në Shqipëri, si dhe të Bashkisë së Tiranës morën pjesë akademikë, studiues, profesionistë, studentë dhe zbatuesit e ligjit. Qëllimi i konferencës ishte trajtimi në mënyrë shkencore të shkallës së rëndësisë së mbrojtjes juridiko-penale të mjedisit; kuptimin e veprave penale kundër mjedisit dhe trajtimin përmes figurave të përgjithshme të tyre; llojet e veprave penale kundër mjedisit; trajtimin e kuptimit dhe veçorive të hetimit të veprave penale mjedisore, etj. Por, qëllimi kryesor i saj ishte përmirësimi i sigurisë mjedisore, përmes kontributit akademik policor, duke ndarë praktikat më të mira mjedisore dhe mësimet e nxjerra; duke formuar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh, duke identifikuar aktorët dhe përgjegjësitë, mungesat ligjore dhe rekomandimet për të ardhmen; për paraqitjen e praktikave ekzistuese dhe rekomandime të mëtejshme të kurrikulave, programeve e trajnimeve për fushën e sigurisë mjedisore tek zbatuesit e ligjit.Në këtë konferencë shkencore gjithashtu participuan edhe profesorë të Fakultetit të Sigurisë Publike. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Prof.Asoc.Dr Bejtush Gashi u paraqit me punimin shkencor “Harmonizimi i Kodit Penal të Kosovës me Konventën Penale kundër Korrupsionit, nevojë për garantimin e sigurisë nacionale dhe luftimin e krimeve mjedisore”, ndërsa mësimdhënësi Prof.Ass.Dr. Vilard Bytyqi u paraqit me punimin shkencor “Ndikimi i Direktivës 2008/99/EC për mbrojtjen e mjedisit përmes ligjit penale në kornizën ligjore penale në Republikën e Kosovës”. Dekani Gashi, gjithashtu moderoi sesionin e IV me titull“Kuptimi, veçoritë, specifikat dhe metodat e hetimit të veprave penale kundër mjedisit”.Pjesëmarrja ishte e hapur për staf akademik, studentë të Akademisë së Sigurisë, ekspertë e studiues, akademikë, studiues e ekspertë të çështjeve të hetimit dhe të sigurisë, përfaqësues nga organizma ndërkombëtar etj. Punimet e konferencës u zhvilluan të ndara në katër sesione dhe në përfundim të kumtimeve përkatëse, u nxorën konkluzat e konferencës nga të gjitha sesionet e zhvilluara, si dhe të pranishmëve iu shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes.

Qëndro i lidhur