Botohet libri “Kriminologjia” i autorit dr.Ferid Azemi
03.07.2021Vushtrri, 01 korrik 2021 – Botohet libri “Kriminologjia” autor i së cilës është profesori i Fakultetit të Sigurisë Publike Ferid Azemi, botim ky i mbështetur nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).
Në librin “Kriminologjia” trajtohen format dhe shkaqet e krimit, në theks të veçantë trajtohet të kuptuarit e krimit në kontekstin psikologjik dhe neuropsikologjik. Sipas autorit të librit profesor Azemi, libri në fjalë ofron shumë mundësi për njohjen e krimeve duke filluar nga sqarimet klasike deri të krimet dhe terrorizmi.
“Një fokus i veçantë dhe deri tani i pa trajtuar sa duhet në vendin tonë dhe në rajon është edhe trajtimi dhe të kuptuarit e krimit në kontekstin psikologjik dhe neuropsikologjik. Një ndër pjesët e veçanta të librit i dedikohet të kuptuarit të disa sëmundjeve mendore që janë të ndërlidhura me sjelljet kriminale. Serioziteti i disa sjelljeve të tilla, ka përfundime tragjike në shumë raste”, thuhet në librin “Kriminologjia”.
Prandaj autori përmes librit vlerëson se zbatuesit e ligjit duhet medoemos të kuptojnë plotësisht se me kë kanë të bëjnë dhe se sa e rëndësishme është largimi i personave të rrezikshëm nga komuniteti dhe si të trajtohen këto kategori. Një pjesë të veçantë në libër e zë edhe trajtimi i fenomenit të pornografisë në përgjithësi, e veçanërisht pornografisë me fëmijë.
“Abuzimi i fëmijëve në mënyrë më të vrazhdë dhe më mizore të mundshme nga më të afërmit e tyre paraqet edhe një kontekst të pa trajtuar social që ndoshta pa dije është lenë pas dore. Përderisa në ditët e sotme kemi ende miliona fëmijë që abuzohen në mënyra të ndryshme, dhe përderisa ekzistojnë qindra mijëra webfaqe me përmbajte të pornografisë me fëmijë, kjo na jep të kuptojmë se prapa skenës së abuzimeve mizore, gjendet një audiencë mjaft e gjerë që me klikime përkrah vazhdimësinë e kësaj loje mizore”, tha Azemi.
Në libër po ashtu flitet edhe për fushën e terrorizmit si pjesë e veçantë, ku të gjitha ata studentë që studiojnë në Fakultetin e Sigurisë Publike kanë mundësi të lexojnë për këtë fenomen.
Ndryshe qëllimi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike vazhdon të jetë zhvillimi i mëtejmë i programit studimor Bachellor dhe fuqizimin e arsimit të lartë në siguri publike në Akademi.
Akademia vazhdo përkrahjen në ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënies, sigurimit të cilësisë duke përfshirë punimet edhe botimet e librave adekuate akademike bazuar në kurrikulën aktuale të akredituar dhe ri/akredituar të programit bachellor (BA) në siguri publike në AKSP.
Një përkrahje të tillë AKSP e ka sublimu përmes vënies me prioritet në kuadër të rëndësisë së veçantë në Strategjinë e saj aktuale Zhvillimore 2019 -2022. Libri “Kriminologjia” do të jetë në shfrytëzim për nevojat e studentëve në studimet bachellor në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi.
Autor i librit është dr/Ferid Azemi mësimdhënësi i rregullt në Fakultetin e Sigurisë Publike pranë AKSP-së. Libri ka 235 faqe, është i ndarë në 11 kaptina. Libri ka për recensentë dy profesorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dr. John Fisher nga Universiteti Utah Valley dhe dr. Luan Zeka nga Universiteti Rochester, si dhe profesor dr. Vilard Bytyqin mësimdhënës i rregullt në Fakultetin e Sigurisë Publike.