Republika e Kosovës Ministria e Punëve të Brendshme

Një delegacion nga AKSP mori pjesë në Javën Ndërkombëtare të Erasmus+ të Shkollës së Zjarrfikjes në Poloni

12.06.2018

Varshavë/Poloni 14 maj 2018 - Gjatë datës 14 - 18 maj 2018 në Shkollën Kryesore të Shërbimit të Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë qëndroi një delegacion i AKSP-së, i cili mori pjesë në Javën Ndërkombëtare të Erasmus+.
 
Delegacioni u udhëhoq nga u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike të AKSP-së, Dr. Nexhat Jashari, i cili u shoqërua nga zyrtari i Akademisë, Skender Agaj. Delegacioni kosovar u pritë nga zyrtarët përgjegjës të këtij institucioni për Erasmus+: Marianna Ceglińska, Michał Sowa dhe Szymon Ptak, kurse një takim të veçantë e zhvilluan edhe me Tomasz Zwęgliński, Udhëheqës i Departamentit për Siguri të Brendshme të Fakultetit të Inxhinierisë së Sigurisë Civile të Shkollës në fjalë.

Pjesë e kësaj ngjarjeje ishin edhe zyrtarë nga Universiteti i Mbrojtjes Civile i Ministrisë së Situatave Emergjente nga Bellorusia, Fakulteti i Mbrojtjes në Punë i Universitetit të Nishit nga Serbia dhe nga Instituti Cherkasy i Sigurisë ndaj Zjarreve nga Ukraina.

Gjatë kësaj vizite zyrtarët nga Akademia patën rastin që pjesëmarrësve të ju tregojnë për historinë, fazat e zhvillimit dhe planet për të ardhmen të Akademisë. Në veçanti të pranishmit u njoftuan për zhvillimet e fundit në AKSP, si diplomimi këtë vit i gjeneratës së parë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike, akreditimi i trajnimeve profesionale të AKSP-së në nivel kombëtar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe në nivel ndërkombëtar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST), zhvillimi i Projektit të Binjakëzimit të financuar nga BE-ja dhe zhvillime të tjera.

Delegacioni u takua edhe me profesoreshën Agata Ostoja - Chrząstowska, Udhëheqëse e Studimeve të Gjuhëve të Huaja në Shkollë, me të cilën u diskutuan sfidat lidhur me njohjen e gjuhëve të huaja në këtë Shkollë, e posaçërisht të gjuhës angleze.

Në takime u bisedua për mundësinë e nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje bashkëpunimi me Shkollën Kryesore të Shërbimit të Zjarrfikjes të Polonisë dhe ndonjë institucion tjetër relevant, për thellimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ ndërmjet të dyja institucioneve në kuadër të programit Erasmus+, shkëmbimit të përvojave lidhur me kurrikulat, përfshirjes së stafit të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave në trajnimet në nivel kombëtar të Polonisë dhe atë evropian dhe tema të tjera në funksion të ngritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.

Ky delegacion pati mundësinë që të vizitojë edhe laboratorin e simulimit të dhomave të tymit, laboratorin e shuarjes dhe neutralizimit të agjentëve të zjarrit dhe laboratorin e testimit dhe certifikimit të aparateve kundër zjarrit.

Shkolla Kryesore e Shërbimit të Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë ka dy Fakultete: Fakultetin e Inxhinierisë së Sigurisë Civile dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Sigurisë ndaj Zjarrit dhe ofron arsim të lartë të nivelit Bachelor dhe Master. Vizita është zhvilluar në kuadër të Mobilitetit Ndërkombëtar të Kredive të programit Erasmus+.
 

Qëndro i lidhur