Në FSP të AKSP-së u realizua shkëmbimi i parë i ardhjes së një mësimdhënësi vizitues përmes programit Erasmus+
21.02.2018Vushtrri, 20 shkurt 2018 - Sot më 20 shkurt 2018 u realizua shkëmbimi i parë i një mësimdhënësi të jashtëm në Fakultetin e Sigurisë Publike (FSP) të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në kuadër të programit Erasmus+, përkatësisht të aktivitetetit të Mobilitetit Ndërkombëtar të Kredive.
Kështu, mësimdhënësja Krista Haak nga Akademia e Estonisë e Shkencave të Sigurisë (AEShS) po qëndron për ligjërim në fushën e psikologjisë për studentët e Fakultetit të sigurisë Publike nga 17 - 21 shkurti 2018. Për më tepër, mësimdhënësja në lëndën e psikologjisë e FSP-së së AKSP-së, Anita Zenuni, do të realizojë periudhën e saj të shkëmbimit në mësimdhënie për studentët e AEShS-së në Tallinn të Estonisë nga 15 - 19 marsi 2018.
Ky shkëmbim i dyanshëm i mësimdhënëseve është arritur përmes marrëveshjes ndër-institucionale për vitin akademik 2017-2018 ndërmjet AKSP-së dhe AEShS-së. Kjo marrëveshje ka përfshirë edhe vizitën studimore në EAShS në Tallin të Estonisë nga 11 - 17 shkurt 2018 të udhëheqësit të Divizionit të Teknologjisë Informative në AKSP, Sami Zeka dhe zyrtarit nga ky Divizion, Mentor Maxhuni. Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte funksionalizimi dhe marrja e njohurive lidhur me zbatimin e sistemit të mësimit elektronik (e-Learning) për Fakultetin e Sigurisë Publike të AKSP-së.
Përndryshe, që nga themelimi i FSP-së, përveç me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Estonisë, AKSP ka arritur që të jetësojë marrëveshje shkëmbimi ndër-institucionale për mësimdhënësit e studentët nga FSP si dhe stafin administrativ të AKSP-së si mysafirë vizitues edhe me Shkollën Kryesore të Shërbimit të Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë dhe me Fakultetin e Shkencave të Zbatuara Policore në Oranienburg të Gjermanisë.